Vrau për hakmarrje në 97-ën, arrestohet
Tiranë- Arriti t’i shpëtonte drejtësisë për mbi 10 vite, pas një krimi të kryer, por arratia e tij tashmë ka marrë fund. Policia e Tiranës ka njoftuar se ka vënë në pranga autorin e një vrasjeje të kryer në vitin 1997, ngjarje që për shumë vite kishte mbetur e pazbardhur.
Shtetasi Agim Stefa, 37-vjeç do të përballet me drejtësinë, nën akuzën e vrasjes me armë zjarri të një 59-vjeçari.
“Në sajë të një pune të mirë organizuar, për zbardhjen tërësisht të vrasjeve të mbartura, nën drejtimin e drejtuesve të Policisë së Kryeqytetit si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës është mundësuar tërësisht zbardhja e mekanizmit të ngjarjes dhe e autorësisë së vrasjes, së ndodhur vite më parë të shtetasit Osman Zenel Marku,
59 -vjeç, i cili u vra me armë zjarri të llojit automatik”- thanë burimet e policisë.
Autorësia u zbulua pas një rihetimi intensiv të kryer për dokumentimin e kësaj ngjarje.
Seksioni i Krimeve Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan dokumentimin e autorit të kësaj vepre penale.
Kjo ngjarje, ka ndodhur më datë 26 korrik të vitit 1997 në Kodër Babrru dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrje. Ndërkohë, që kapja e autorit të dyshuar të vrasjes u realizua në Bathore. Të gjitha materialet e përpiluara në ngarkim të shtetasit të sipër cituar, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprave penale të vrasjes me dashje në bashkëpunim dhe armbajtjes pa leje dhe municioneve.