Kavajë, plagosje për ngacmimin e të fejuarës
KAVAJE - Një 41-vjeçar ka mbetur i plagosur në Kavajë pas një debati, që më pas i ka kushtuar katër thika në bark. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.2 të Kavajës dhe si autor i dyshuar i ngjarjes është arrestuar Medi Myslymaj. I plagosuri Naim Haxhiu është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur për motive banale dhe në debat e sipër Myslymaj ka goditur katër herë me thikë 41-vjeçarin. Gjatë deklarimeve që 25-vjeçari i arrestuar ka dhënë në polici, mësohet se i plagosuri Haxhiu, i kishte kërkuar që ta takonte, për të sqaruar disa muhabete. Sipas policisë gjatë hetimeve ka rezultuar se debati mes dy personave ka nisur sepse Myslymaj i ngacmonte të fejuarën 41-vjeçarit Haxhiu, me të cilën bashkëjetonte prej disa muajsh, në një fshat pranë Kavajës. Pasi ka zbuluar personin që ngacmonte vajzën, Haxhiu i ka kërkuar që ta takonte në qendër të qytetit, por aty ka nisur edhe debati i ashpër mes tyre. I riu nuk është mjaftuar vetëm me faktin se i ngacmonte të fejuarën, por e ka goditur katër herë me thikë, duke e lënë të plagosur rëndë. Brenda disa orëve ai është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës, me akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërsa i plagosuri Naim Haxhiu, sipas mjekëve e ka kaluar gjendjen kritike dhe është jashtë rrezikut për jetën.