Korçë, biznesi lehtësira për të udhëtuar drejt Greqisë
Korçë- Biznesmenët korçarë nuk do të kenë asnjë pengesë për të kaluar në tokën helene. Mjafton që subjekti i tyre ëtë jetë i licensuar dhe i regjistruar pranë Dhomës së Tregtisë së Korçës. Kjo është bërë e ditur sot pas takimit, mes përfaqësuesve të Dhomës së Tregëtisë së Korçës dhe Dhomës së Tregëtisë së Kosturit.
Në këtë takim, ku ka asistuar edhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Ilia Milo është vënë theksi tek bashkëpunimi më i mirë mes palëve. Sipas tij marrëveshja do të thotë më shumë qarkullim midis dy anëve të kufirit. Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregëtisë së Kosturit Markopulos ka theksuar domosdoshmërinë për të gjetur një gjuhë të përbashkët në mbështetje të biznesmenëve të dy anëve të kufirit. “Të bashkohemi në një platformë të përbashkët për ti dhënë shtytje bashkëpunimit ndërajonal në fushën e biznesit”, ka nënvizuar ai. Ndërkohë që ka siguruar se për çdo antar të regjistruar në Dhomën e Tregtisë do të ketë procedura të lehtësuara vizash të cilat do të merren brenda ditës. A.G.