E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau të dashurin e mbesës, dosja në gjykatë

TIRANE- Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen penale ndaj Albert Dashit, i njohur ndryshe si “Bert Qorri”. Ai akuzohet për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”. Albert Dashi qëlloi për vdekje në zonën e quajtur “Xhamlliku”, në kryeqytet, Armando Hasanin, të riun i cili kishte krijuar një lidhje dashurie me mbesën 17-vjeçare të autorit. Dashi nuk ka qenë dakord me lidhjen mes dy të rinjve dhe ka vendosur të bisedojë me Hasanin. Mes viktimës dhe autorit ka pasur zënka të vazhdueshme, pasi Dashi nuk donte që mbesa të jetonte me Hasanin. Ditën e ngjarjes, Armando Hasani po kthehej në shtëpi, kur Dashi e ka ndjekur nga pas duke e qëlluar për vdekje. Ai është larguar nga vendngjarja, por pak orë më vonë është prangosur nga policia. Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe brenda pak ditësh, Albert Dashi do të ulet në kafazin e hekurt në Gjykatën e Tiranës për të dhënë llogari para Drejtësisë për krimin e rëndë. Dosja penale do të shqyrtohet nga gjyqtari Bujar Krasniqi.
(s.g/GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›