E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret babanë dhe shokun,plagos nënën e kushëririn

15/04/2009  Prangoset 22-vjeçari Arjon Lulaj, ishte i dehur. Qëlloi në fillim ndaj të atit, e kritikoi

VLORE- Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin bregdetar të Vlorës. Një i dehur, 22-vjeçari Arjon Lulaj, pas debateve për alkoolin e konsumuar gjatë gjithë ditës, ka hapur zjarr me një kallashnikov duke lënë të vdekur në vend babanë e tij 51 vjeç, Musa Lulaj dhe shokun e ngushtë Bledar Xhaferraj, 28 vjeç. Ndërkohë që ai ka lënë të plagosur nënën e tij Sofie Lulaj dhe djalin e dajës Jovan Lazaj. Vetëm një orë më pas ai është ndaluar nga ana e policisë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “24 Maj” të qytetit, por zanafilla e së keqes ka filluar në një fshat të këtij rrethi teksa tre të rinjtë kanë filluar të konsumojnë shumë alkool.

Vrasjet

Shtetasi 22 vjeç Arjon Lulaj, lindur në fshatin Lubonjë të rrethit të Vlorës, por tashmë banor në lagjen “24 Maj” të qytetit bregdetar ka shkuar në fshatin e lindjes dhe aty ka takuar një shokun e tij të ngushtë, Bledar Xhaferri dhe djalin e dajës së tij Jovan Lazaj, që të dy banorë në fshatin Picar, pak km larg fshatin Lubonjë. Sapo janë takuar së bashku ata kanë filluar të konsumojnë sasi të mëdha alkooli. Kjo ka ndodhur për orë të tëra. Rreth orës 22.30 minuta ata të tre kanë shkuar në banesën e shtetasit Lulaj ku kanë qenë të pranishëm i ati i tij Musa Lulaj dhe nëna e tij Sofie Lulaj. Sapo ka parë të birin të dehur dhe në të njëjtën shkallë dehjeje edhe dy shokët e tij, Musai ka filluar t’i kritikojë ata për alkoolin e konsumuar. Mirëpo kjo nuk është pritur mirë nga 22-vjeçari që ka filluar të kundërshtojë të atin. Kundërshtimi nuk është mjaftuar vetëm me fjalë. Në një moment, shtetasi Arjon Lulaj ka marrë një armë automatike tip kallashnikov dhe me të ka filluar të qëllojë mbi të pranishmit. Duke mos ditur se çfarë po bënte, pasi ka shkarkuar plot 24 plumba mbi të pranishmit ai është larguar nga vendngjarja. Kanë qenë fqinj të familjes Lulaj që pasi kanë dëgjuar krisma të shumta kanë lajmëruar në komisariatin e policisë që ka dërguar aty menjëherë forca të shumta. Ata kanë parë se aty ndodheshin dy viktima dhe dy të plagosur. Menjëherë janë dërguar në spital të plagosurit dhe është rrethuar lagja për të kapur agresorin. Vetëm një orë pas ngjarjes, në prangat e policisë ka rënë shtetasi vrasës Arjon Lulaj. Në një konferencë për shtyp organizuar rreth mesditës nga zëdhënësi i shtypit të Drejtorisë së Policisë së qarkut Vlorë konfirmohet ndalimi i agresorit dhe se në cilësinë e provës ndodhen në duart e hetuesve arma kallashnikov me të cilën ka ndodhur vrasja, 24 gëzhojat e gjuajtura nga kjo armë dhe një makinë tip Benz Mercedez me targa VL 2142 C.

Rrëfen nga spitali nëna e agresorit

Të më vriste dhe mua, por

me dhimbje unë e kam falur

VLORE- Sofie Lulaj, 45 vjeç, ka rrëfyer tmerrin e krimit në shtëpinë e saj, ku mbeti i vrarë bashkëshorti dhe nipi i saj, djali i vëllait dhe njëkohësisht u vra miku i ngushtë i Arionit. Vetë e ëma e tij e ndodhur në krevatin e spitalit rajonal shprehet se përmes dhimbjes e ka falur djalin e saj. Ajo tregon se djemtë kishin ardhur nga Picari ku kishin ndenjur me orë të tëra duke pirë, për arsye që ajo si dinte. “Erdhën aty në shtëpi dhe po qëndronin në oborr, tregon momentin e ngjarjes Sofia. Dëgjuam të bërtitura në oborr dhe im shoq doli të shikonte pse po bërtisnin çunat, më pas i foli të birit që të mos ziheshin kot se e kishin nga pija, ndërsa ky shkoi mori një automatik dhe qëlloi fillimisht mbi të atit. Sa dëgjova krisma dola me vrap jashtë dhe pashë tim shoq përtokë. Pasi qëlloi babanë drejtori armën nga shoku i tij i ngushtë, Bledari dhe pastaj qëlloi sërish përtokë, plumb që më zuri mua në këmbë dhe desh vrau nipin tim. Nisa ti thërrisja të më vriste dhe mua, por ai as nuk përgjigjej e as nuk lëvizte nga vendi. Qëndronte aty në mes të oborrit në këmbë dhe nuk i përgjigjej bërtitjeve dhe thirrjeve të mia për të më vrarë, që i thosha më vrit dhe mua të mbyll sytë se s’kam çfarë e dua më jetën me këtë që bëre. Ai s’lëvizi deri sa erdhi policia. Ne na sollën në spital. Nuk di ç’të them, s’di si e bëri. Ai s’ka pasur probleme asnjëherë. Ka bërë nja ca kurse profesionale, ka qenë në Greqi e priste të fillonte punë në zanat. S’di as nga e gjeti armën që e mori ashtu papritur nga pas shtëpisë. Ne jetonim në Vlorë prej tre vjetësh, e im bir njihej për djalë i urtë. Se di çfarë ishte kjo, nuk ja vlen ta llogarisësh atë bir që vret babanë, tenton të vrasë djalin e dajës së vet që e kishte si vëlla, dhe vret dhe shokun e tij të ngushtë që e kishte dhe atë në vend të vëllait". Dh. Spiro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›