E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta ne fushate

15/04/2009  Turi kryeministror

Berisha: Qeveria e vendosur të zbatojë programin

Mazhoranca e djathtë parlamentare do t’i kushtojë vëmendje të veçantë arsimit profesional gjatë mandatit të dytë qeverisës. Ky është premtimi që ka dhënë Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme profesionale në Shkozet. Kreu i qeverisë theksoi se pas hapit të parë, që ishte pajisja e shkollave me kabinete informatike, hapi i dytë do të jetë përhapja e mënyrës së të mësuarit dixhital. Ndërkohë gjatë vizitës së tij në Spitallë Berisha u shpreh se rindërtimi tërësor i infrastrukturës arsimore, modernizimi i procesit të mësimdhënies dhe orientimi i arsimit drejt tregut janë objektiva prioritare të qeverisë. Shefi i ekzekutivit tha se qeveria është e vendosur të zbatojë programin e saj dhe se më 1 maj do të rriten pagat për mësuesit. “Është e vërtetë se ka një krizë botërore, kjo është reale dhe e pamohueshme. Është e vërtetë se kjo krizë ndikon edhe te ne, por nga është e vërtetë gjithashtu se kjo krizë nuk ndikon në atë shkallë sa ne të mos zbatojmë programin tonë. Ndaj më 1 maj gjithë mësuesit do të kenë rrogat e ngritura”, - deklaroi ai. Berisha tha se mazhoranca po shkon drejt një mandati të dytë qeverisës dhe të gjithë janë dëshmitarë se Shqipëria është në një ndryshim që nuk e ka njohur ndonjëherë më parë.

Partia Republikane

Mediu nënvizon rëndësinë e kthimit të pronës

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar gjatë një takimi në qytetin e Fierit se në themel të programit politik të forcës që përfaqëson qëndron prona dhe kompensimi i ish-pronarëve të ligjshëm. “Partia Republikane ka qenë përherë për njohjen e pronës private dhe kthimin e saj tek i zoti. PR-ja është dhe do të jetë përherë në mbrojtje të interesave të kësaj shtrese. Ne duam të vendosim të drejtën e pronës private, si e drejtë e ligjshme e gjithsecilit, pavarësisht ka apo nuk ka pronë dhe se punojmë për legalizimin, pa dyshim për të parë të ligjshmen, pronën që është e ligjshme”, - ka deklaruar ai. Sipas Mediut, ky është një detyrim që vjen nëpërmjet Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por është njëkohësisht dhe elementi thelbësor i zhvillimit të tregut, prandaj është e domosdoshme që të zbatohet në mënyrë të drejtë kjo çështje. Kryerepublikani Mediu gjatë takimit në Fier përmendi të gjitha reformat dhe sukseset e mazhorancës së djathtë gjatë këtyre katër vjetve. Ai u shpreh i bindur se shqiptarët do t’i japin sërish besimin këtij koalicioni për një mandat të dytë. “Gjatë mandatit tonë të dytë do të punojmë sërish me seriozitet për të vazhduar sukseset dhe reformat, për të vazhduar të sigurt në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, - theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›