E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret me thikë mësuesin, pranga 25-vjeçarit

Autori i Lajmit: red.
Një 25-vjeçar ka vrarë me thikë mësuesin pas një sherri të çastit. Gjithçka ka ndodhur në kohën kur autori dhe viktima ishin në gjendje të dehur dhe pas një grindjeje për motive banale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e së martës në Peshkopi, në lokalin e autorit të krimit. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka vënë në pranga Dorjan Iskurtin. Më pas ka mbledhur dëshmitë e personave që ishin në lokal në çastin e vrasjes, të cilët kanë shpjeguar se mësuesi Hekuran Kaleci po pinte në një tavolinë me 25-vjeçarin, pronar i lokalit.
Ngjarja
Ka mjaftuar një grindje e çastit dhe pronari i një lokali ka goditur me thikë për vdekje klientin e dehur. Dëshmitarët okularë pohuan për policinë se viktima dhe autori po pinin në të njëjtën tavolinë, dhe pas një diskutimi të çastit, 25-vjeçari ka rrëmbyer thikën dhe ka qëlluar mësuesin. Policia e Peshkopisë bëri të ditur se ngjarja ndodhi brenda në qytet në njërin nga lokalet e qendrës ku viktima ndodhej prej disa orësh duke pirë alkool. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se viktima quhet Hekuran Kaleci, 58 vjec, dhe se ka gjetur vdekjen pas goditjes me thikë nga 25-vjeçari Dorjan Iskurti. Autori është arrestuar menjëherë nga policia e Peshkopisë pa bërë rezistencë, ndërsa sqaroi në komisariat se e kishte goditur 58- vjeçarin pas një grindjeje të çastit, kur viktima ishte në gjendje të dehur. Policia ka konstatuar se edhe autori, në momentin e krimit, ishte nën efektin e alkoolit.
Arrestimi
Menjëherë pas ndalimit të 25-vjeçarit policia ka ngritur dhe akuzat kundër tij. Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se autori do të përballet me akuzën e vrasjes. Por ekziston frika e ndonjë konflikti të mundshëm mes familjes së viktimës dhe asaj të agresorit. Autor i dyshuar i krimit është Dorian Ishkurti, 25-vjeçar, lindur e banues në këtë qytet, pronar i lokalit që ndodhet në dalje të qytetit verilindor. Ndërkohë që është administruar dhe dëshmia e të dyshuarit, i cili ka pohuar se në kohën që ka ndodhur ngjarja ishte në gjendje të dehur dhe se nuk ka konflike me asnjë person, duke përfshirë këtu dhe viktimën. Trupi i pajetë i mësuesit i është nënshtruar autopisë dhe më pas u është dorëzuar familjarëve.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›