Ekspertiza 2, Prokuroria zgjedh një anglez për videon Meta-Prifti
Tiranë- Një muaj e gjysmë pas ekspertizës së parë, Prokuroria e Përgjithshme po përgatitet për një tjetër ekspertim të videos së përgjimit Meta-Prifti, por këtë radhë nga një ekspert anglez. Arsyet e ekspertimit të dytë janë të njëjtat me ato që eksperti amerikan dha në aktin që i dorëzoi prokurorisë, ku shprehej se me pajisjet që kishte në dispozicion, nuk mund të pastronte audion e video-përgjimit. Ky informacion ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme, si pjesë e akt-ekspertimit të kryer nga amerikani Glen Bard, rreth një muaj e gjysmë më parë, por vetëm dje, prokurorët e çështjes kanë marrë vendimin për një riekspertim. Ky vendim u është komunikuar edhe dy përfaqësuesve ligjorë të ish-zv.kryeministrit, Ilir Meta, avokatëve Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, të cilët dje kanë marrë takim me prokurorët që po hetojnë çështjen. Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme nuk dha asnjë koment mbi riekspertimin, por nga burime të rezervuara mësohet se tashmë video-përgjimi do t’i besohet një eksperti anglez. Sipas të njëjtave burime konfirmohet se arsyeja kryesore përse është vendosur të rikryhet edhe një herë procedura e ekzaminimit të videos së gjetur në lap-topin e ish-ministrit Dritan Prifti ka të bëjë me mangësitë e vërejtura në ekspertizën e parë. Në aktin që prokuroria i përcolli zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, eksperti amerikan, Glen Bard, ndër të tjera thoshte se: “Unë nuk isha në gjendje të pastroja segmentin audio të videos me pajisjet që kisha në dispozicion”. Për këtë fakt, organi qendror i akuzës ka qenë në dijeni që në momentin e përfundimit të akt-ekspertimit, por në rrethana të paqarta, vendimi për riekspertim është marrë ditën e djeshme, pikërisht pasi avokatët e z. Meta kanë kundërshtuar akt-ekspertimin në Gjykatën e Lartë. Këtë radhë, prokuroria duket se ka bërë lëvizjen e zgjuar, pasi me një vendim të tillë mund të kthejë situatën në favor të saj. Kështu, prokuroria do të shmangë përballjen me avokatët në Gjykatën e Lartë, ku pritet të nisë shqyrtimi i kërkesës së tyre për shpalljen e papërdorshëm të akt-ekspertimit. Ndërsa përfitimi i dytë i prokurorisë ka të bëjë pikërisht me afatet e hetimit, procedurë kjo që i ka sjellë jo pak probleme Prokurorisë së Përgjithshme në raste të ngjashme. Duke qenë se afati fillestar i hetimit është 3 muaj, prokurorisë do t’i duhet të zgjasë afatet për hetimin e videos Meta-Prifti, por këtë radhë duke pasur edhe një arsye të fortë, siç është riekspertimi i videos, edhe pse në bazë të ekspertimit të parë, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta. Këtë radhë, objekt i ekspertit britanik mësohet se do të jetë vetëm pastrimi i audios, pra i dialogut mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Ende nuk dihet se si do të veprohet me akt-ekspertimin e ekspertit amerikan, nëse do të merret apo jo parasysh, pasi avokatët kanë kundërshtuar mënyrën e caktimit të këtij eksperti.