Beqiraj në gjurmët e Metës, kërkon rrëzimin e përgjimit
Tiranë- Videoja e dytë, e zbuluar në kompjuterin e ish-ministrit Dritan Prifti, pritet të jetë objekti i betejës së radhës mes Prokurorisë dhe avokatëve të njërit prej protagonistëve të videos, ish-zv.ministrit Leonard Beqiraj. Pas kundërshtimit që avokatët e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta i bënë ekspertimit të videos, këtë radhë është avokati i Beqirajt, i cili kundërshton mënyrën se si është siguruar videoja e dytë. Sipas burimeve mësohet se përfaqësuesi ligjor i ish-ministrit Beqiraj ka depozituar në Gjykatën e Lartë, me objekt shpalljen si të papërdorshme të video-përgjimit, mes klientit të tij dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Arsyet e paraqitura në kërkesë kanë të bëjnë me mënyrën se si është siguruar kjo video, pasi nuk është urdhëruar me vendim të autoriteteve. Videoja është cilësuar si përgjim i paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të merret si provë nga Prokuroria e Përgjithshme. Kërkesa për shpalljen e këtij video-përgjimi si të papërdorshëm, tashmë është marrë në dorëzim nga Gjykata e Lartë, e cila pritet ta hedhë atë në short për të përcaktuar Kolegjin Penal që do të shqyrtojë kërkesën e avokatët të ish-zv.ministrit Leonard Beqiraj. Ky i fundit është filmuar nga ish-eprori i tij, Dritan Prifti, në ambientet e banesës së tij, duke ndarë një shumë parash, që sipas prokurorisë janë rreth 70 mijë euro. Videoja, e cila u zbulua nga eksperti amerikan në lap- topin e ish-ministrit Prifti, përveç faktit të ndarjes së parave mes dy zyrtarëve të lartë, jep edhe detaje të tjera për mënyrën se si ishte siguruar kjo shumë të hollash. Gjithçka është regjistruar nga ish-ministri në banesën e tij, ndërsa më pas video është shkarkuar në kompjuterin portabël. Sipas ekspertit amerikan rezulton se kjo video, pasi ishte shkarkuar në kompjuter ishte fshirë, ndërsa me ndihmën e programeve të specializuara është bërë i mundur rikthimi i saj në gjendjen fillestare. Këto pamje i kanë mjaftuar Prokurorisë të kërkojë imunitetin e ish-ministrit Prifti, si dhe të fillojë hetimet nën akuzën e korrupsionit edhe për ish-vartësin e tij, Leonard Beqiraj.