Biznesmeni: Si u përfshiva në tregtinë e vajit të palmës me 200 kg kokainë
Pak orë pas lirimit nga policia, biznesmeni gjirokastrit, Kristaq Kotro ka provuar efektet e para të përfshirjes së emrit të tij në historinë e 200 kilogramëve kokainë në vajin e palmës. E megjithatë, pronari i fabrikës së “Merentinos” thotë se koha do të bëjë të vetën në sheshimin e gjërave, pasi shton se ai nuk ka asgjë për të fshehur. Në këtë intervistë për MAPO-n, Kristaq Kotro rrëfen kontaktin me personin e arrestuar për trafikun e kokainës, i cili përmes një miku të tij i kishte bërë të ditur se në Belgjikë ndodhej një ngarkesë me vaj palme, me çmim të volitshëm. “Kur jemi takuar, më tha se vaji i palmës që ndodhej në Belgjikë, në fillim ishte porositur nga një kompani polake, por më pas ata ishin tërhequr dhe u kishte ngelur pa shitur. E pashë si mundësi të mirë dhe ramë dakord që ta merrnim”, - pohon biznesmeni, i cili mohon të kishte dijeni për historinë e kokainës. Ai tregon edhe shoqërimin drejt Tiranës nga policia, ku pozicioni i tij është sqaruar brenda 24 orësh.
Zoti Kotro, si u gjendët ju në historinë e kontenierit me vaj palme, që fshihte 200 kilogramë kokainë kolumbiane?
Më lejoni t’u shpjegoj se si, pasi jam shumë i interesuar në sqarimin e pozicionit tim, jo vetëm ligjërisht, por edhe publikisht, meqenëse kjo ngjarje ka marrë përmasa të mëdha. Unë jam pronar i kompanisë “Alfa Epsilon 1”, që ka në pronësinë e saj fabrikën e “Merentinos” në Gjirokastër. Prej shumë vitesh bëj biznes. Fabrika jonë bën prodhim dhe ne prodhojmë mbi 400 kode, pra produkte ose nënprodukte që shkojnë në tregun vendas, kryesisht Greqi dhe vendet e Bashkimit Europian. Për të realizuar prodhimin, neve sigurisht na duhet lënda e parë. Një nga lëndët e para që neve punojmë, është dhe vaji i palmës. Më lejoni të theksoj se të gjitha importet e lëndës së parë ne i kryejmë nga shtetet e Bashkimit Europian.
Në fakt, kontenieri ka ardhur nga Kolumbia me sa rezulton nga hetimet, apo jo?
Për të qenë më i saktë, ne vajin e palmës gjithnjë e kemi importuar me konteinerë nga Greqia, Italia dhe Belgjika, kryesisht nga këto tre vende. Edhe në rastin në fjalë, importi që unë kam bërë ka qenë nga Belgjika.
Pra ju keni importuar vetëm mbi fatura shitjeje dhe transporti Belgjikë-Shqipëri, asgjë më tepër?
Ekzakt, unë kam porositur vajin e palmës në Belgjikë. Më lart ju sqarova se gjithë lëndën e parë që na duhet për prodhimin, e marrim vetëm në vendet e Bashkimit Europian.
Si arritët në këtë marrëveshje, për ta blerë në Belgjikë?
Atëherë, një person që tani në dijeninë time ndodhet i arrestuar, pasi ka kontaktuar një të njohurin tim, më ka ofruar nëpërmjet tij se kishte një kontenier vaji palme në Belgjikë, që priste për t’u shitur me një çmim të volitshëm. Mua m’u duk një mundësi e mirë për ta blerë. Kur jemi takuar, më tha se vaji i palmës që ndodhej në Belgjikë në fillim ishte porositur nga një kompani polake, por më pas ata ishin tërhequr dhe u kishte ngelur pa shitur. E pashë si mundësi të mirë dhe ramë dakord që ta merrnim. Kështu ka ndodhur.
Keni importuar më parë ju vaj palme, apo të tjera produkte, falë kontakteve të biznesit të këtij personi?
Ju thashë që nuk e njihja fare dhe as nuk më njihte personalisht, ndaj dhe i kërkoi një të njohurit tim për të më përcjellë ofertën e tij. Asnjëherë më parë nuk kam bërë biznes me këtë person.
Kur u kontaktuat nga prokurorët ju zoti Kotro?
Ka qenë data 21 mars dhe unë isha në Gjirokastër. Aty më ka marrë policia, ka qenë ora rreth 15:30. Pak më vonë, jemi nisur drejt Tiranës, ku rreth orës 22:00 të natës më kanë çuar në Drejtorinë e Policisë. Aty më kanë marrë në pyetje për gjithë natën, ku unë sigurisht kam sqaruar në detaje dhe më imtësisht këto gjëra, që po ua bëj të ditur edhe juve. Pra, mënyrën se si isha kontaktuar, se si ramë dakord për importin e vajit të palmës nga Belgjika, se si kam importuar nga vendet e BE-së dhe natyrën e marrëveshjes. Gjithë natën i jam përgjigjur interesimit të hetuesve dhe në datën 22 mars, në orën 16:30 më kanë lënë të lirë, pasi edhe vetë e kuptuan se unë nuk kisha lidhje me asgjë më tepër se sa porosia e vajit të palmës, për arsye prodhimi të fabrikës time.
U treguat dhe dokumente doganore, apo fatura, hetuesve?
Jo, sepse nuk mund t’i kisha me vete ato, pasi jam nisur i papërgatitur drejt Tiranës, pasi më shoqëroi policia. Megjithatë, policia mendoj se ka marrë vetë informacione të këtij lloji mbi biznesin tim dhe nuk e ka pasur të vështirë t’i krahasojë ato me thëniet e mia në deklarime. Unë kam shpjeguar në detaje çdo element që më lidhte mua me këtë ngjarje, pasi nuk kam pasur asgjë për të fshehur dhe mund të them edhe se jam shumë i kënaqur nga profesionalizmi dhe mënyra se si policët dhe prokurorët janë sjellë ndaj meje.
Lajmi për 200 kilogramë kokainë të kapura në Shqipëri është i një rëndësie të veçantë. Cilat kanë qenë efektet “anësore” që ka lënë përfshirja e emrit tuaj në këtë histori?
Historia u prit me bujë dhe vëmendje të madhe nga televizionet dhe gazetat. Sot(dje) kam parë dhe efektet e para, njëfarë ngurrimi dhe shqetësimi, kryesisht në partnerët e mi jashtë vendit, me të cilët bëj biznes në marrëdhënie me bankat, etj. Ata të gjithë, shqiptarë e të huaj, ishin të informuar me sa kuptova dhe kjo gjë reflektohej. Megjithatë, them se koha do bëjë të vetën dhe pak e nga pak do sqarohet gjithçka më mirë dhe unë do arrij atë çka më intereson më shumë, të ruaj profilin tim si një biznes serioz dhe korrekt në marrëdhënie me të gjithë, pa përjashtim.