Vret veten ditën që do të shkonte në emigrim
Një 32-vjeçar nga Shkodra i ka dhënë fund jetës, dje duke u varur në litar. Astrit Hoxha, banues në lagjen "Qemal Stafa" të qytetit të Shkodrës, është gjetur i vetëvarur brenda banesës së tij dje paradite, rreth orës 10:30. Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur trupin pa jetë të 32-vjeçarit të varur në ambientet e brendshme të shtëpisë. Me gjithë ndihmën që janë munduar t‘i japin, gjithçka ka qenë e kotë, pasi Astrit Hoxha kishte disa minuta që kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë. Ndërkohë, nga familjarët e viktimës mësohet se ai ishte i pamartuar dhe kishte marrë një vizë për të shkuar në Itali te të afërmit. Dje ishte dita kur ai duhet të nisej për në Itali, por për arsye ende të paqarta ai i ka dhënë fund jetës, duke u varur në litar. Sipas policisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe ekspertiza mjekoligjore e viktimës është arritur në përfundimin se ai është vetëvarur. Nga shpjegimi i rrethanave të ngjarjes nga familjarët dyshohet se një gjendje depresive e kohëve të fundit është bërë shkak që viktima të vetëvaret.