E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplanti i veshkave, edhe për të miturit

Realizimi i transplantit të veshkave dhe vazhdimi i bashkëpunimit me kirurgët italianë ishin çështjet kryesore të diskutuara dje në Pediatrinë e Specialiteteve në Tiranë. Kirurgët e huaj, mjekët shqiptarë bashkë me ministren e Shëndetësisë, kanë kërkuar ndihmën e vazhdueshme të doktorëve të huaj për sa i takon operacioneve të vështira te të vegjlit. Ekipi italian prej 10 vjetësh kryen ndërhyrje të vështira në vendin tonë. "Janë fëmijë që presin çdo vit kirurgët të vijnë të operojnë dhe mbeten ende të tjerë. Fëmijët operohen nga anomali dhe probleme të lindura, të cilat, në disa raste, janë të rralla në disa të tjera të shpeshta. Janë raste të rralla që i shohim shpesh dhe nuk kemi ekspertizën e duhur si kirurgë dhe në këtë rast, ne kemi thirrur ekspertët e huaj", tha kirurgu Dritan Alushani. Ndër rastet që operohen ai përmendi atë kur fshikëza e urinës mbetet e hapur dhe nuk mbyllet. Për këtë nevojiten një seri interventesh. Të ngjashme janë edhe rastet e deformimeve gjenetike. Ekipi i mjekëve italianë asiston çdo vit vendin tonë me kryerjen e operacioneve më problematike te fëmijët. Në vendin tonë, regjistrohen zyrtarisht rreth 300 raste në vit të ndërhyrjeve te fëmijët, ndër të cilat rreth 150 asistohen nga mjekët italianë.

"Një pikë të rëndësishme të diskutimeve në takim e zuri edhe transplanti i veshkës, që në Shqipëri ndoshta mund të fillojë një program për trasplantin renal", u shpreh mjeku italian, Gianantonio Manxoni. Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u dha mbështetje për vënien sa më shpejt në jetë të këtij shërbimi në spitalin tonë. Sakaq, transplanti i veshkave, projekti ambicioz që përflitet prej pesë vjetësh në Shqipëri, mendohet të realizohet pa u mbyllur ky vit. Në mbledhjen e fundit Ministria dhe Drejtoria Spitalore i kanë vendosur firmës që po rikonstrukton sallën speciale, fundin e muajit tetor si afat të mbarimit të punës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›