Kthehej në shtëpi pas tetë vjetësh, kapet vrasësi
Një vrasës i shpallur në kërkim kapet teksa po hynte në kufirin shqiptar me një nga tragetet e linjave detare në Durrës. I shumëkërkuari Shkëlqim Sula, 38 vjeç, nga Tirana, është identifikuar menjëherë nga shërbimet e policisë portuale, të cilat kanë njoftuar eprorët për Sulën e dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasjen me paramendim në bashkëpunim të Fatbardh Zirit në Fushë-Krujë. Së bashku me bashkëshorten e viktimës, Irena Ziri, Shkëlqimi u shpall fajtor kryesor në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 korrikun e 8 viteve të shkuara. Ai u shpall në kërkim nga policia e Krujës dy vjet më parë, ndonëse gjykata e këtij rrethi gjyqësor e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me 25 vjet burg rreth një vit pas vrasjes, më 26 korrik 2001. Vrasja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës, në lagjen "Kastriot", për motive të dobëta. Irena Ziri, e dënuar edhe ajo me 25 vjet heqje lirie, në bashkëpunim me Shkëlqim Saliun, vëllain e tij nga nëna, Sokol Xhambazi dhe Lulëzim Meçanin, djali i tezes së Shkëlqimit, kanë vrarë Fatbardhin. Përveç Zirit dhe Saliut, edhe dy personat e tjerë të përfshirë në këtë krim janë dënuar me 10 dhe 15 vjet burg. Sipas policisë, ngjarja është zhvilluar sipas një "skenari" të hartuar më parë nga këta persona, me qëllim eliminimin e bashkëshortit të Irenës.