Gripi i derrit, qytetarët në panik nga përhapja e virusit
Jonida Late
Qytetarët janë në panik për shkak të përhapjes së vrullshme të virusit A/H1N1 dhe rastit të vdekjes së një personi. Për këtë, të gjithë personat që dyshojnë se janë prekur nga ky virus ose kanë vënë re simptomat, kanë kërkuar analizimin laboratorik të mostrave. Burime nga Spitali Infektiv i Tiranës bëjnë të ditur se personat që janë drejtuar në spital, kanë kërkuar me dëshirën e tyre analizimin e mostrave. Sipas burimeve spitalore, qytetarët janë në panik për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit. Sipas ISHP-së. numri i të prekurve ka kaluar numrin e 200 personave, ndërsa MSH-ja ka shpallur prej kohësh situatën epidemike, e cila është edhe më e komplikuar nga gripi i zakonshëm stinor dhe nga virusi i gripit të derrit.
Situata
Megjithëse qytetarët janë në panik, Ministria e Shëndetësisë është në pritje të vaksinës që pritet të vijë në 10- ditëshin e parë të këtij muaji. Por, situata duket kritike, pasi MSH-ja nuk siguron numrin e plotë të dozave për mbulimin e popullatës. E vetmja mundësi që mbetet për personat që dyshojnë se janë të prekur nga virusi pandemik është vetëm kryerja e analizave laboratorike në ISHP. Burime nga Spitali Infektiv, bëjnë të ditur se në këtë spital janë paraqitur mjaft raste gjatë ditëve të fundit, si dhe janë rritur kërkesat për kryerjen e ekzaminimeve. “Këto dy javë janë rritur kërkesat për marrjen e mostrave për ekzaminim, dërguar Institutit të Shëndetit Publik, për konfirmime nëse bëhet fjalë për AH1N1 apo grip të zakonshëm”,- u shprehën mjekët e Infektivit.
Rastet
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se rastet e prekura nga virusi i gripit të derrit kanë ardhur në rritje, duke u regjistruar rreth 60 persona çdo ditë. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, pak ditë më parë, theksoi se janë rreth 110 raste çdo ditë me virusin gripal, nga të cilët 60 raste janë me gripin e derrit, ndërsa të tjerët janë me gripin sezonal. Gjeografia e personave që janë të prekur nga virusi i gripit të derrit dhe që paraqiten çdo ditë në Spitalin Infektiv të Tiranës, i përket çdo rrethi të Shqipërisë. Ndërsa numri i personave që janë të prekur nga gripi i zakonshëm, ka shkuar rreth 16 mijë. Burime nga Spitali Infektivi i Tiranës bëjnë të ditur së këto janë vetëm rastet të paraqiten në spital. Ata nuk përjashtojnë faktin se numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm mund të jetë edhe më i lartë, duke marr parasysh faktin që një pjesë e mirë e qytetarëve nuk paraqiten në spital, por kurohen në shtëpi. Pacientët e konfirmuar me grip derri e kanë kaluar numrin 200,ndërkohë ankthi që po përjetojnë qytetarët është rritur edhe për faktin se një 57-vjeçarit nga Sukthi i Durrësit që humbi jetën, tre ditë më parë.
OBSH: Nxirja e trupit artificialisht, rrit rrezikun nga kanceri
Studimi i fundit i OBSH-së tregon se solari është i rrezikshëm për prekjen nga kanceri i lëkurës. Kështu, që kërkon të nxihet artificialisht, në asnjë mënyrë nuk duhet të frekuentojë qendrat e solarëve dhe të nxini trupin tuaj para llambave rrezatuese të tyre që ju nxijnë artificialisht. Tashmë kjo është një këshillë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në një studim të saj të fundit, OBSH-ja i ka klasifikuar llambat e solarëve si të rrezikshme për kancerin e lëkurës. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime në kancer, u shpreh se llambat që rrezatojnë dhe nxijnë më pas lëkurën janë futur në grupin e shkaktuesve të kancerit të nivelit më të lartë. Sipas studimit të OBSH-së, rreziku i kancerit të lëkurës rritet me 75% nëse marrja e rrezeve në mënyrë artificiale bëhet një zakon në rininë tonë. Problem ishte se sipas verifikimeve të bëra në terren, në të gjitha qendrat solar, rezultoi se në 78% të tyre nuk janë zbatuar rregullat për të përcaktuar më parë llojin e lëkurës dhe të gjitha masat që duhen marrë para se zonjat të ekspozohen nën rrezet e tyre artificiale me llamba. Ata kanë dhënë disa këshilla për qytetarët, sipas të cilëve ata nuk duhet t’u nënshtrohen llambave, si të miturit, gratë shtatzëna, njerëzit me lëkurë të nivelit I dhe II. Njëkohësisht, bëjnë të ditur që të mos bëhen më shumë se dy seanca në javë, ose të jenë të paktën 48 orë larg njëra-tjetrës.
Po kështu, të gjithë qytetarët duhet të shmangnin llambën për rreze në të njëjtën ditë, nëse ju jeni të ekspozuar ndaj diellit. Nëse jeni duke marrë ilaçe, konsultohuni me mjekun tuaj para se të shkoni në një qendër për rreze.
Sëmundjet kardiovaskulare, shkaktarët kryesor të vdekshmërisë
Sëmundjet kardiovaskulare janë një ndër shkaktarët kryesor të vdekshmërisë në vend. Sipas autoriteteve shëndetësore ato zënë rreth 53 për qind të vdekshmërisë në vend. Për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar Kartën Europiane të Shëndetit të Zemrës. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u shpreh se ky institucion do të marrë masa konkrete për parandalimin e kësaj sëmundje. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se vitet e fundit sëmundjet kronike kanë zënë një vend të favorshëm në popullsinë e vendit tonë. Specialistët theksojnë se ndonëse shifrat e sëmundjeve kronike janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera, tashmë ka ardhur koha të përshtatim sistemin shëndetësor në mënyrë që të reagojë më mirë ndaj sëmundjeve dhe shëndetit publik. Në këtë mënyrë do të mundësohet që sëmundjet të kapen që në fazat e para për minimizimin e rasteve. Sipas tij, do të hartohen programe edukimi për të frenuar sjelljet e rrezikshme tek të rinjtë si duhanin, alkoolin, drogat, kequshqyerjen e të tjera. Për realizimin e këtyre strategjive specialistët e Shëndetit Publik kërkojnë bashkëpunim me të gjitha strukturat përkatëse. Ndërkohë që qytetarët janë të rrezikuar nga një numër i madh sëmundjesh, përveç sëmundjeve kardiovaskulare që zënë vendin e parë. Ndërsa vendin e dytë, e zënë të sëmurët që vuajnë nga hipertensioni, diabeti apo tumoret. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Rreth gjysma e vdekjeve të shqiptarëve çdo vit kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga kjo sëmundje. Ndërsa rreth 700 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset. Sipas mjekëve specialistë, kjo shifër kap mbi 25-30 për qind të popullsisë. Kohët e fundit hipertensioni ka filluar të shfaqet edhe në moshat mbi 18 vjeç. Mjekët vlerësojnë se sëmundja e hipertensionit është një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragjitë cerebrale, dëmtime të veshkave. Ndërkohë që një vend të veçantë zë dhe sëmundja e diabetit, e cila prek rreth 35 për qind të shqiptarëve, duke vazhduar më pas me tumoret, që prekin një numër të madh personash, ku rreth 3500 vetë vdesin çdo vit.
7 Dhjetor 2009