E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimi, në fund të dhjetorit dalin emrat e mësuesve që do të kualifikohen



Jonida Tashi

Emrat e mësuesve që do t’i nënshtrohen gjatë vitit 2010 testimit për të fituar një nga tri shkallët e kualifikimit do të dalin në ditët e fundit të muajit dhjetor. Ministria e Arsimit ka urdhëruar të gjitha drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore (DAR/ZA) të vendit që të planifikojnë në punën tyre për vitin 2009-2010 kualifikimin e mësuesve 2010, të cilët mbushin 5, 10, 20 vite pune në arsim deri në fund të dhjetorit 2009, duke identifikuar së pari mësuesit dhe duke i pajisur ata me programet e kualifikimit të dërguara nga Instituti i Kurrikulave dhe Trajnimit (IKT). Për këtë arsye, çdo drejtori ose zyrë arsimore deri në fund të këtij muaji duhet të ketë nxjerrë në lista të veçanta, emrat e të gjithë arsimtarëve që e plotësojnë vjetërsinë e nevojshme në arsim për t’u testuar, të cilët do të jenë të ndarë në grupe të veçanta, sipas viteve përkatëse të punës.
Udhëzimi
Pas evidentimit të mësuesve që do të testohen në mars të vitit të ardhshëm, Ministria e Arsimit do të nxjerrë në fillim të vitit 2010 udhëzimin e ri, për mënyrën se si do të organizohet provimi. Konkretisht për këtë çështje në udhëzimin e kësaj Ministrie, për vitin shkollor 2009-2010 thuhet: “Në vijimësi do të zbatohen dhe udhëzimi i ri i MASH-it dhe kriteret që do të hartojë IKT-ja për kualifikimin 2010”. Po sipas të njëjtit udhëzim, trajnimi dhe kualifikimi i mësuesve të gjuhëve të huaja krahas praktikave të hartuara nga IKT-ja dhe DAR/ZA-të, për zhvillimin e brendshëm profesional të mësuesve, do të mbështetet në njohjen dhe zbatimin në klasë të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët. Për këtë, IKT-ja do të hartojë një plan kualifikimi të veçantë për trajnimin e mësuesve për njohjen dhe zbatimin në praktikë të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët, dokument i cili përbën bazën kurrikulare të mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhëve të huaja, duke e koordinuar dhe me zbatimin e tij në klasë përmes Portofolit Evropian të Gjuhëve. Ky dokument duhet të njihet, të zbatohet nga mësuesit dhe të jetë pjesë e vlerësimit të tyre.
Provimi
Provimeve të kualifikimit, sipas kritereve standarde të caktuara nga Ministria e Arsimit edhe gjatë vitit 2010 do t’u nënshtrohen vetëm mësuesit, të cilët, deri më 31 dhjetor 2009 kanë mbushur vjetërsinë e përcaktuar të punës në arsim (5, 10, 20 vjet punë në arsim). Përveç përmbushjes së kriterit për vjetërsinë e punës në arsim, kandidatët duhet të plotësojnë edhe disa kërkesa të tjera që janë si më poshtë. Kandidatët që kanë vjetërsinë përkatëse në sistemin arsimor parauniversitar, brenda datës 27 janar 2010, duhet të plotësojnë formularët e aplikimit, për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit. Pas plotësimit të formularit të aplikimit, çdo kandidat duhet të dorëzojë Portofolin e Zhvillimit Profesional tek specialistët e sektorit të Trajnim-Kualifikimit në çdo drejtori arsimore. Në momentin e dorëzimit të Portofolit të Zhvillimit Profesional, të gjithë mësuesit duhet të rishikojnë saktësinë e plotësimit të tij me dokumentet e nevojshme, në bashkëpunim me specialistët përkatës që do të marrin në dorëzim zyrtarisht Portofolin e Zhvillimit Profesional. Po ashtu, në momentin e dorëzimit të portofolit, çdo mësues do të njoftohet zyrtarisht për kohën dhe vendin e realizimit të provimit me shkrim. Nëse mësuesi nuk e dorëzon Portofolin e Zhvillimit Profesional, nuk është i lejuar të futet në provimin me shkrim.
Certifikata
Arsimtarët, të cilët kanë kualifikimin “Master” ose gradën “Doktor i shkencave” do të pajisen certifikatën e kualifikimit, pa qenë nevoja të marrin pjesë në provim. Kjo ishte një mënyrë e re e kualifikimit të mësuesve, që për herë të parë u zbatuar gjatë testimit të vitit 2009. për rrjedhojë edhe gjatë testimit 2010, kandidatët që janë trajnuar nga IKT-ja gjatë vitit 2009 në bazë të Portofolit të Zhvillimit Profesional, në formularin e aplikimit mund të paraqesin certifikatën përkatëse në vend të portofolit të sipërcituar. Zotëruesit e kësaj certifikate me kredit duhet ta paraqesin certifikatën origjinale tek specialistët dhe do të mbahet një kopje në dokumentacionin e DART-së. Kurse për tekstet e gjuhëve të huaja që nuk janë të ndara në kapituj, mësuesit që do të atestohen do të përcaktojnë objektivat e arritjeve të nxënësve (si pjesë e portofolit) në tre nivele, duke u mbështetur në një modul ose dhe orë mësimore. Duke marrë në konsideratë specifikat e arsimit parashkollor, çdo mësues kopshti do të përgatisë portofolin duke u mbështetur në udhëzimet përkatëse. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e procedurës do të jetë e njëjtë me mësuesit. Ndonëse provimi zhvillohet në mars, pas nxjerrjes së emrave të mësuesve që futen në provim, arsimtarët gjatë gjithë periudhës deri në realizimin e provimit me shkrim, do të atestohen dhe do të jenë në vëmendjen e inspektorëve të drejtorive arsimore dhe drejtorive të shkollave për të realizuar vlerësimin e brendshëm dhe të jashtëm.

Shtesa mbi pagë, vjetërsia e punës që nevojitet për ta përfituar

Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009 do të kenë punuar 5 vite pune si arsimtar kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.

Portofoli i Zhvillimit Profesional do të përmbajë:
Curriculum vitae (me fotografi);
Planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar);
Objektivat e arritjeve të nxënësve për kapitull, në tre nivele (për një klasë dhe në një lëndë të caktuar);
Modele testesh të hartuara prej tij;
Planifikimin e kurrikulës së lirë (për një klasë dhe një lëndë të caktuar);
Vlerësimin për punën e tij (nga vlerësues të brendshëm dhe të jashtëm).

Kualifikimi 2010, mësuesit që do të përfshihen

Me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e edukimit muzikor ose të edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune.

Vjetërsia e punës në arsim për t’u kualifikuar
Provimeve të kualifikimit do t’i nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2009, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:
5 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit
10 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit
20 vjet, për shkallën e parë të kualifikimit

7 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›