E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vriten Muamar dhe Mutasim Gadafi, kapet Saif Al-Islami

Pas një dite të tërë me raportime kontradiktore, kryeministri i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të Libisë, Mahmoud Jibril, theksoi gjatë një konference për shtyp se “e kemi pritur gjatë këtë moment. Muamar Gadafi është vrarë”.

Rrethanat e vdekjes së tij janë ende të paqarta. Ndërkohë që BBC-ja ka transmetuar një video ku Kolonel Gadafi është kapur nga forcat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit. Është i paqartë qëllimi i atyre që e rrethojnë, por ajo që duket është se Gadafi është i plagosur rëndë.

Forcat anti-Gadafi thanëse se e kanë gjetur në një vrimë, dhe se e kanë qëlluar teksa është përpjekur të arratiset.

Koloneli po luftonte në Sirte përkrah dy djemve të tij, Mutassim dhe Saif al-Islam, sipas raporteve. Zyrtarët thonë se Mutassimi është vrarë në betejë të enjten. Ministri i përkohshëm libian i Drejtësisë, theksoi për AP-në se Saif Al-Islami është kapur dhe është dërguar në Spital pasi ishte i plagosur në Këmbë.

Tripoli dhe e gjithë Libia është në festë – të rinj e pleq, luftëtarë e civilë, të gjithë i janë drejtuar Sheshit të Dëshmorëve, disa duke valëvitur flamuj, disa ngrenë lart dy gishtat në shenjë fitoreje. Kapitulli Gadafi në historinë e Libisë është mbyllur, ky është momenti që shumica e libianëve as që e kanë ëndërruar në jetën e tyre. Liderët botërorë mirëpritën lajmin për vrasjen e Gadafit, duke i kërkuar Këshillit Kombëtar të Tranzicionit që të reformojë vendin.

(14:12) "Al-Xhazira": Gadafi ka vdekur!

Shefi ushtarak i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Abdul Hakim Belhaj, konfirmoi për “Al-Xhazirën” se Muamar Gadafi ka vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë betejës për Sirten.

“Trupi i Gadafit po shpiet në një vend sekret për arsye sigurie”, tha për “Reuters”-in zyrtari i KKT-së në qytetin e Misratës, Mohamed Abdel Kafi.

Më herët, komandanti i KKT-së, Jamal abu-Shaalah theksoi për “Al-Xhazirën” se kolonel Gadafi ishte kapur i gjallë por i plagosur në të dyja këmbët.

(13:20) Kapet Muamar Gadafi, ishte plagosur në të dyja këmbët

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit njofton se ka kapur Muamar Gadafin në qytetin e Sirtes.

Gadafi është arrestuar dhe është plagosur në të dyja këmbët, tha Abdel Majid, zyrtar i lartë i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, i cituar nga Televizioni Libian, Al-Xhazira dhe agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ai është kapur. Është i plagosur në të dyja këmbët…dhe është marrë me ambulancë”, tha ai gjatë një bisede telefonike me “Reuters”-in.

Lajmi për kapjen e ish-liderit libian, vjen pak kohë pasi Këshilli Kombëtar i Tranzicionit njoftoi se ka marrë kontrollin e plotë të Sirtes, vendlindjes së kolonelit.

Aleanca Atlantike e Veriut thekson se nuk mund të konfirmojë raportet për kapjen e njeriu që sundoi Libinë për 42-vjet.

Ushtari që pretendon se ka kapur Muamar Gadafin i tha BBC-së së koloneli ulërinte “Mos qëllo!”.

Korrespondetja e BBC-së në Tripoli thotë se edhe pse kapja e Muamar Gadafit nuk është konfirmuar zyrtarisht, anekënd Libisë kanë filluar festimet. Gjithandej armët tunden në ajër.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-10-20 16:12
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›