Vritet 30-vjeçari në Shkodër, plagoset e fejuara
Policia ndalon kunatin, Fatjon Bushatin, i akuzuar si autor. Dyshohet se vajza u plagos aksidentalisht nga viktima
SHKODËR-Një i ri ka mbetur i vdekur, kurse e fejuara e tij ndodhet e plagosur në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në lagjen “Kongresi i Përmetit” në qytet, kur viktima Ardjan Muja, së bashku me të fejuarën Dorela Bushatin, 23-vjeç ishin në shesh pushimin e shkallëve në katin e katërt të pallatit të vajzës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ende ka gjëra të paqarta, por dyshohet se autor i krimit është vëllai i Dorelës, 20-vjeçari Fatjon Bushati, i cili është ndaluar nga policia fill pas ngjarjes.
Ngjarja
Sipas burimeve policore, viktima Ardjan Mujaj, 30-vjeç, ka qenë në banesën e vjehrrit të tij, së bashku me të fejuarën dhe familjen e saj. Për shkaqe që akoma nuk dihen, mes Ardjan Mujajt dhe familjes së të fejuarës së tij Dorelës, 23-vjeçe, ka nisur një konflikt. Sipas policisë, e cila ka ndërtuar paraprakisht skenën e krimit, Ardjan Muja ka marrë të dalë nga apartamenti i të vjehrrit, por në korridorin e tij, ai ka filluar të përleshet me kunatin, Fatjon Bushati, 20-vjeç. Përleshja ka vazhduar në korridorin e katit pranë shkallëve, ku për t’i ndarë ka ndërhyrë e fejuara e Ardjanit, Dorela. Mësohet se Ardjani ka pasur me vete një armë zjarri pistoletë, e cila i është gjetur fare pranë dorës. “Në rrethana akoma të pasqaruara është qëlluar me disa plumba Dorela dhe Ardjani, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa Dorela ndodhet në gjendje të rëndë në spital”- thonë burimet policore. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe një thikë e gjakosur, por që akoma nuk dihet nëse me të është goditur ndonjë prej të dëmtuarve. Edhe Fatjon Bushati ka pasur shenja gjaku dhe është ndaluar si autori kryesor i dyshuar për vrasjen.
Policia
Dyshohet se vajza ka hyrë mes të fejuarit dhe të vëllait, që po ziheshin për t’i ndarë. Sipas policisë, aty është qëlluar ndoshta aksidentalisht nga Ardjani, të cilit më pas i është marrë arma dhe është vrarë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja pistolete. Policia ka marrë në pyetje dhe prindërit e Fatjon e Dorela Bushatit, por ata akoma nuk kanë dëshmuar për ngjarjen. “Ata do të merren në pyetje për të dhënë rrethanat e ngjarjes dhe arsyen e sherrit të beftë mes viktimës dhe familjes së vajzës”,- thonë burimet policore. Sipas tyre, prindërit nuk kanë qenë në gjendje të dëshmojnë, pasi janë mjaft të tronditur dhe të shqetësuar për fatin e vajzës së tyre. Kjo është vrasja e dytë që ndodh në qytetin e Shkodrës brenda një jave, ku të dielën e shkuar u vra për gjakmarrje Ndue Pisha, si dhe vrasjae gjashtë e ndodhur që nga fillimi i këtij viti.