Përgjimet e telefonave nga Nishani, Topi e firmos
TIRANË- Përgjimet e telefonave dhe postës elektronike do të kryhen jo vetëm nga Shërbimi Informativ por edhe nga Policia e Shtetit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Kreu i shtetit, Bamir Topi ka dekretuar ligjin për “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për përgjimin e telekomunikimeve”. Ligji në fjalë i jep Ministrisë së Brendshme kompetencat që përgjimet për hesap të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ti kryej vet nëpërmjet strukturave të saj që do të funksionojnë pranë SHISH-it. Ligji i ri për përgjimet përmban 8 nene, të cilat synojnë të ndajnë përgjimet në funksion ekzekutiv dhe përgjime në funksion të hetimeve paraprake, sisteme të cilat do të komandohen nga e njëjta bërthamë komanduese elektronike që do të qëndrojë në Prokurorinë e Përgjithshme. Neni dy i këtij ligji përcakton që sektori i përgjimeve në SHISH realizon vetëm proceset teknike të përgjimit nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit për llogari të institucioneve shtetërore informative, pasi është marrë vendimi për përgjim sipas këtij ligji. Ndërkohë që bëhet përjashtim vetëm për proceset teknike të përgjimit, për llogari të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, të cilët i realizojnë ato përmes seksionit të tyre të përgjimeve, të atashuar në sektorin e përgjimeve, po në SHISH. Megjithatë edhe në këtë ligj përcaktohet se punonjësit e Sektorit të Përgjimeve në SHISH dhe punonjësit e seksionit te përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, të atashuar në sektorin e përgjimeve në SHISH fillojnë përgjimin pasi njoftojnë më parë Prokurorin e Përgjithshëm. Ndërkohë që punonjësi i Bërthamës komanduese elektronike, pas vendimit me shkrim për miratimin e kërkesës për përgjim, mundëson teknikisht procesin epërgjimit nga Sektori i Përgjimit në SHISH ose seksioni i përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe të SHKB-së, nëMinistrinë e Brendshme. Ky ligj gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare dhe gjatë miratimit në Kuvend gjeti kundërshtimin e plotë të opozitës, e cila e konsideroj atë si një mundësi për të realizuar përgjimet politike.