Dielli dhe lulet, miqtë e alergjisë

TIRANË - Jemi në muajin e fundit të stinës pranverore dhe luhatja e motit dhe e temperaturave është e rrezikshme. Stina verore me nxehtësinë e saj po afron, ndërsa fillojnë të të kruhen e lotojnë sytë, të na bllokohet frymëmarrja, apo edhe të na shoqërojë rrufa e sikletshme. Alergologia e poliklinikës nr. 3 të specialiteteve, Mira Xhixha, shpjegoi dje për “Korrierin” simptomat e këtyre alergjive, shkaktarët dhe mënyrat e mbrojtjes. “Simptomat kryesore që shfaqin alergjitë e këtyre stinëve, janë simptomat që vijnë nga astma bronkiale dhe rrufa, pra alergjitë e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes”, tha Xhixha. Simptomat të cilat i përkasin rrufës, janë bllokimi i hundëve, teshtimat e forta, kullim i ujshëm i hundëve dhe kruajtje e hundëve. Gjithashtu, këto mund të shoqërohen në pjesën më të madhe të rasteve me djegie të syve, kruajtjen e syve, skuqje të qepallave, e në disa raste edhe me kollë, kur alergjia ka kapur edhe pjesën poshtë hundës. Ndërsa alergjitë e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes shoqërohen me marrje të frymës, shtrëngime në gjoks dhe frymëmarrje me fishkëllimë, të cilat mund të jenë edhe shenja të astmës bronkiale. Këto shqetësime mund të gjenden të shoqëruara të gjitha bashkë tek një person i vetëm, ose të veçuara. Pacienti në të tilla raste nuk duhet të neglizhojë vizitën tek mjeku.
Kujdes nga polenet!
“Shkaktarë të këtyre alergjive janë polenet që ndodhen në ajër, të cilat lëshohen nga disa bimë barishtore që i përkasin një familje botanike, e cila quhet “Gravine” ose “Gravinase”, shtoi alergologia Xhixha në fjalën e saj. Në këtë familje botanike bëjnë pjesë me mijëra lloje, e cila mund të jetë e kultivuar ose spontane. E kultivuar është gruri, misri, thekra, ndërsa spontane janë loliumi dhe grami. Dy javë pas lulëzimit të tyre është periudha e poleneve, periudha e alergjisë. Pas lulëzimit, këto bimë e lëshojnë polenin në ajër, i cili qëndron pezull dhe qarkullon me anë të lëvizjes së erës me një shpejtësi të madhe, shumë kilometra larg vendit të prodhimit. Për të evituar përhapjen e alergjisë, çdo person që ka këto shqetësime duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku. Mjekimi që jepet në këto raste, është mjekim kurativ që eliminon shqetësimet në momentin ose gjatë kohës që ato shfaqen. Mjekimi tjetër është ai profilaktik, i cili ka për qëllim uljen e alergjisë së një personi në organizmin e tij. “Këshillat që mund të jepen për personat që vuajnë nga kjo sëmundje janë evitimi në maksimum i ekspozimit në ambiente të hapura. Ndërkaq, ditët me diell, ku temperatura shënon mbi 25 gradë, si dhe ditët me erë, pra ditët e thata, janë më të këqijat e këtyre sëmundjeve”, tha alergologia Mira Xhixha.