Vritet me armën e gjahut babai i shtatë fëmijëve
Një gjuetar nga fshati Vilë i Komunës Bushtricë të Kukësit është gjetur i vrarë me armë gjahu në bjeshkë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në lartësinë rreth dymijë metër mbi nivelin e detit ku Kapllan Billa, 45 vjeç, së bashku me nipin e vet 30 vjeç është plagosur rëndë në gjoks me armën e gjahut. Nipi i viktimës ka njoftuar menjëherë policinë lokale e kjo e fundit ministrinë e linjës, e cila ka nisur drejt vendit të ngjarjes një helikopter. Por burime të policisë së Qarkut të Kukësit thanë se Billa kishte dhënë shpirt pak minuta para se të ulej helikopteri, i cili është kthyer bosh në Tiranë. Burime nga vendi i ngjarjes tregojnë se viktima ka vrarë veten pa dashje. Por burime të policisë thonë se për këtë rast po hetohet edhe pista e vrasjes. Viktima ka lënë pas një familje me shtatë fëmijë të mitur.