E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet skema si u rrit artificialisht çmimi i cigareve

emirjon senja

Rritja e fitimeve i bën bizneset që të mendojnë çfarëdolloj marifetesh, qofshin këto në përputhje me ligjin apo duke e shkelur atë. Ne po tregojmë një ndër rastet se si e kanë pësuar qindra mijëra duhanpirës në Shqipëri vetëm nga një truk që kanë bërë kompanitë e cigareve gjatë fundit të vitit të shkuar, i cili i ka kushtuar çdo duhanpirësi jo pak, por mesatarisht 20 lekë në ditë, apo 600 lekë në muaj. Këto janë para, të shpenzuara, të cilat nuk kanë shkuar të arkën e shtetit, por në xhepat e tregtarëve.

Historia fillon në vjeshtë të vitit të shkuar, kur qeveria vendosi të rrisë me 20 lekë për paketë akcizën e cigareve. Ligji kaloi në Kuvend dhe pas botimit në fletoren zyrtare filloi të zbatohej që prej datës 1 janar të këtij viti. Sipas rregullave, çdo paketë cigare që do të hynte nga kjo datë në territorin e Republikës së Shqipërisë do të taksohej edhe 20 lekë më shumë. Normalisht, një gjë e tillë pritej të pasqyrohej menjëherë në rritjen e çmimit të cigareve, e cila ndodhi. Vrojtimet në treg, çmimet e paketave që duhapirësit u përballen që prej ditëve të para të janarit si dhe të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave treguan se duhani u shtrenjtua minimalisht me 20 lekë për paketë. Realisht, të gjithë i blenë paketat më shtrenjtë nga janari 2011, por taksa shtesë për të cilën ata po paguanin nuk ishte vjelë me të vërtetë.

Çfarë kishte ndodhur?

Duke ditur se nga janari do të rritej akciza, kompanitë e cigareve futën sasi të mëdha malli në Shqipëri përgjatë ditëve të fundit të vitit 2010 me qëllim që ti shmangeshin 20 lekëshit shtesë që do të paguanin nga janari 2011. Sasia e cigareve të futura vetëm përgjatë dhjetorit 2010 nuk ishte parë ndonjëherë më parë. E gjithë kjo që ndodhi, është zbardhur edhe në treguesit që Ministria e Financave paraqet në relacionin e projekt buxhetit të vitit 2012. Në të dhënat zyrtare të kësaj ministrie, por edhe në publikimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave raportohet se gjatë dhjetorit 2010 janë importuar jo pak, por 513 ton cigare. Kjo sasi është dy herë e gjysmë më e madhe se sa importi i janarit të të njëjtit vit. Madje, rritja e importeve ka filluar që në muajin nëntor, ku mësohet se janë futur 488 ton. Pikërisht në këtë muaj është miratuar edhe rritja e akcizës për cigaret, e cila do të fillonte të vilej nga janari 2011.

Pasi u dendën me import gjatë dy muajve të fundit të vitit 2010, kompanitë ulen në maksimum importin gjatë nëntë mujorit të parë të këtij viti, duke shfrytëzuar sasinë e blerë më parë, e cila njëkohësisht ishte futur me nivel taksash më të ulët. Edhe ky fakt pasqyrohet në treguesit zyrtar të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Kështu, nëse në dhjetor u importuan 513 ton, në janar u futën 342 ton, në shkurt 144 ton dhe në mars vetëm 139 ton.

Pagesa e këtij detyrimi për mallrat e akcizës bëhet ose në momentin kur malli importohet ose kur prodhohet. Akciza për mallrat, që i nënshtrohen akcizës, në bazë të dispozitave të këtij ligji, paguhet në çastin e importimit ose të prodhimit të mallrave të akcizës në territorin e Republikës së Shqipërsië, përveç rasteve kur në këtë ligj parashikohet ndryshe, – përcaktohet në ligjin Për akcizat.

Duket qartë se kompanitë e kanë paguar akcizën e cigareve të importuara me shumicë në dhjetor 2010 që në fillim me qëllim ruajtjen për vitin tjetër të sasisë së futur me më pak taksa.

Fitimi i kompanive dhe ligji renduan xhepat e duhanpirësve

Nga të dhënat e publikuara, është e qartë që afati kohor një mujor (dhjetor 2010 janar 2011) deri në hyrjen e nivelit të ri të akcizës në fuqi, është shfrytëzuar nga aktorët e tregut të cigareve për të nxjerrë më shumë fitime duke ditur atë që do të ndodhte më pas. Duke shitur paketat 20 lekë më shtrenjtë, në një kohë kur nuk e kishin paguar akcizën me nivelet e reja, kompanitë duket se e kanë shtuar fitimin edhe me 20 lekë për çdo shitje. Kjo për faktin se rritja e çmimeve për efekt të akcizës u pasqyrua menjëherë në treg gjatë muajve të parë të këtij viti. Por edhe nëse nuk kanë pasur qëllimin primar fitimin, rendimit artificial të xhepave të qytetarëve në këtë rast i ka ardhur në ndihmë edhe legjislacioni shqiptar. Sipas rregullave, duhet që kompanitë e cigareve të publikojnë për publikun çmimet e shitjes me pakicë të çdo pakete para se të hedhin mallin në treg. Lajmërimi bëhet në dy ndër gazetat më të shitura si dhe i ofrohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në këto kushte, kompanitë nuk kanë se si të deklarojnë të njëjtat çmime kur janë rritur detyrimet për mallin që ato importojnë.

Qytetarët e pësuan nga qëllimi i kompanive për të fituar më shumë, por edhe detyrimi ligjor për të afishuar çmimet e reja të shitjes së cigareve me pakicë. Çdo 20 lekësh shtesë që ka dalë nga xhepat e çdo duhanpirësi në Shqipëri për çdo paketë cigare pas janarit 2011 i dedikohet asaj çka është gatuar që nëntor-dhjetor 2010.

Rritja e papritur e importit të cigareve në dhjetor 2010 shpjegon edhe paradoksin që vërehet në tabelat e realizimit të të ardhurave të Ministrisë së Financave për sa i përket akcizës për këtë produkt. Të dhënat tregojnë se të ardhurat nga akciza e cigareve gjatë nëntë mujorit të parë të 2010 janë më të mëdha se sa të ardhurat e të njëjtës periudhë të vitit 2011. Kjo ulje e të ardhurave ndodh kur që prej janarit 2011 është aplikuar një nivel akcize më e lartë për duhanin. Në sqarimin që Ministria e Financave bën për këtë fenomen mësohet se sasia e cigareve të zhdoganuara në periudhën janar-shtator 2011 është 2.262 ton, me një rënie vjetore prej minus 26 për qind.

Deri para ndërhyrjes në nivelin e akcizave, shteti vilte 50 lekë për çdo paketë cigare që hynte në territorin e vendit, ndërkohë që tani vjel 70 lekë. Gjasat janë që ajo të shkojë deri në 90 lekë për paketë, në ndryshimet e reja të ligjit që po përgatit Ministria e Financave. Rritja e akcizës ndikoi në rritjen e përgjithshme të çmimeve, aq sa Instituti i Statistikave e kategorizon këtë ndërhyrje, bashkë me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe TVSH-në mbi ilaçet si ato që kanë dhënë ndikimin më të madh në shtrenjtimin e jetesës në vend. Shifrat zyrtare tregojnë se rreth një milionë shqiptarë janë konsumues të rregullt të duhanit. Kjo do të thotë që më shumë se gjysma e familjeve shqiptare preken direkt nga çmimet e larta të duhanit.

Paketat, gjysma e çmimit janë taksa

Importi i cigareve është një ndër aktivitetet më fitimprurëse për arkën e buxhetit të shtetit. Nga një vëzhgim i tregut vërehet se çmimi mesatar i një pakete cigare që shitet sot është 180 lekë. Në fakt, ky është çmimi që e ka blerë deri më tani duhanpirësi, por nga të dhënat e zbuluara në lidhje me lojën që është bërë me akcizën, mësojmë se çmimi mesatar me të cilin duhej shitur realisht, ku palët të fitonin aq sa më parë, është 160 lekë. Duket se 20 lekëshi shtesë ka shkuar në xhepat e importuesve. Nga një përllogaritje e përafërt, mësohet se një paketë del nga dogana me një çmim mesatar prej 148 lekë. Çmimi deri tek konsumatori final, rritet për shkak të fitimit dhe kostos që aplikojnë tregtarët mbi çdo paketë.

Nëse marrim të mirëqenë se një paketë ka dalë nga dogana me këtë kosto, përllogaritet që 70 lekë të jenë akcizë dhe 15 lekë janë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në total, shteti vjel nga kjo paketë cigare, e cila shitet në treg me 180 lekë, plot 85 lekë. E thënë ndryshe, në çmimin final të një paketë të tillë, afërsisht gjysma janë taksa dhe pjesa tjetër kosto e prodhimit, transporti dhe sigurisht fitimi i kompanive përkatëse.

Po kalojmë tek cigaret e shtrenjta, të ci

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›