E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet një shkencëtar iranian

Një profesor i fizikës bërthamore është vrarë sot në Teheran, pas shpërthimit të një bombe të vendosur në motoçikletë, e cila ishte parkuar para shtëpisë së tij në kryeqytetin e Iranit, kanë njoftuar mediet shtetërore.

Massoud Ali Mohammadi sapo kishte dalë nga shtëpia e tij për të shkuar në punë, kur ndodhi shpërthimi i bombës së aktivizuar nga larg, njoftoi televizioni shtetëror.

Mediet shtetërore për vrasjen e Mohammadit fajësuan shtetet perëndimore, të cilat janë konfrontuar me Iranin për shkak të ambicieve bërthamore të këtij vendi.

Televizioni shtetëror i Iranit theksoi se vrasja e Mohammadit është një “akt terrorist, i kryer nga kundërrevolucionarët dhe elementet e arrogancës”, referencë kjo për SHBA-në. Forcat e sigurisë kanë filluar hetimet, u theksua në raport.

Shkencëtari tjetër bërthamor nga Irani, Shahram Amiri, është zhdukur në qershor të vitit të kaluar, gjatë pelegrinazhit në Arabinë Saudite. Zhdukja e Amirit ka ngritur dilemat në lidhje me atë se a ka dezertuar ai dhe se a i ka dhënë Perëndimit informata për programin bërthamor të Iranit, por Ministria e Jashtme e Iranit ka akuzuar SHBA-në për rrëmbimin e tij dhe ka kërkuar kthimin e Amirit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›