E Shtunë, 31 Tetor 2026

WBF vlerëson Qaton dhe Ndroqin për vitin 2008

Boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato dhe promotori i tij, z. Ylli Ndroqi, kanë spikatur në çmimet e akorduara për zonën e Evropës nga njëra prej 4 federatave më të njohura botërore të boksit, “World Boxing Foundation” (WBF).

31-vjeçari Kreshnik Qato, aktualisht kampion në fuqi i botës në peshën e mesme në versionin WBF, është shpallur si boksieri më i mirë i vitit 2008 për këtë federatë, ndërsa z. Ylli Ndroqi, kompania e të cilit “Yldon” Sh.p.k., është mbështetësja kryesore e boksierit, është shpallur si promotori i vitit në Evropë.

Po kështu, edhe Kasandra Uajt, kompania e së cilës organizoi ndeshjen e 20 dhjetorit 2008, midis Qatos dhe amerikanit David Estrada, është shpallur si promotorja e vitit në kontinentin amerikan. Ndërkaq, ndeshja e 4 prillit 2008, midis Kreshnik Qatos dhe portugezit Vitor Sá, e zhvilluar në Tiranë, është shpallur si dueli i vitit i ËBF-së për zonën e Evropës. Këto vlerësime janë bërë të ditura nëpërmjet faqes zyrtare në internet të kësaj federate të mirënjohur të boksit në botë.

Pas 12 raundesh plot emocione, boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, është shpallur më 4 prill “kampion i botës” në versionin ËBF për peshën e mesme. Në një ndeshje të barazpeshuar, të zhvilluar në një atmosferë elektrizuese në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", Qato ka bërë diferencën me volumin më të madh të lojës dhe në përfundim, ai ka korrur një fitore me pikë, që në fakt ishte edhe një vendim unanim i 3 gjyqtarëve të ndeshjes.

Në fakt, vetë presidenti i WBF-së, Mik Krauçer, pati theksuar atëherë se “kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për vetë Kreshnikun në radhë të parë, por, ajo çka është më e rëndësishme është se kjo ndeshje e konfirmon atë si boksier botëror dhe e fut Shqipërinë në hartën e boksit botëror profesionist".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›