E Shtunë, 31 Tetor 2026

Washingtoni kërkon shfuqizim të Rezolutës 1244

Dy plane për Kosovën janë duke u përgatitur nga Washingtoni dhe Brukseli, në mënyrë që të përforcohet pavarësia e vendit.

Plani i parë i cili ka tashmë dy muaj që përgatitet nga Washingtoni, ka të bëjë me shfuqizimin e rezolutës 1244 të KS të OKB-së e cila vlerësohet si pengesë për fuqizimin e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, plani i dytë është duke u përgatitur nga Brukseli, në mënyrë që të zhbllokohet komunikimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kështu shkruan sot gazeta beogradase Blic, sipas së cilës, këta dy skenarë do të zbatohen pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin e vet rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më tej gazeta shkruan se plani i BE-së është i padefinuar, i drejtuar para së gjithash në presion ndaj Serbisë që të fillojë bashkëpunimin praktik me autoritetet kosovare. Madje për këtë çështje, ky medium shkruan se do të diskutohet në takimin ministror të BE-së më 10 maj.

Sa I përket planit të Washingtonit, duke u thirrur në burime të saj, gazeta shkruan se tashmë dy muaj është duke përgatitur një plan, që nga Beogradi, si kompensim me qasje sa më të shpejtë drejt BE-së dhe fondeve të saja, të kërkohet shfuqizimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe përforcimin e pavarësisë së Kosovës.

Gazeta, gjithnjë duke u thirrur në informacione diplomatike shumë të besueshme nga Washingtoni, shkruan se për negociatat teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë joformale ato tashmë kanë filluar. Artikulli sqaron se në dy muajt e fundit ka pasur takime joformale midis përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës në të cilat kanë marr pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të kabinetit të presidentit Boris Tadiq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›