E Diel, 1 Nëntor 2026

Waterlooja sovjetike

 
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka marrë vendim për dërgimin e dhjetëra mijëra ushtarëve shtesë në Afganistan, me qëllim që t’i tërheqë më pas shumë shpejt ata. Këtë para tri dekadave e ka provuar edhe Bashkimi Sovjetik dhe ka dështuar
 
Ekziston një anekdotë e cila ka qarkulluar në Afganistan në vitin 1964, pas ndërtimit të një autostrade, e cila shtrihej nga kufiri sovjeto-afgan nëpër Hindukush e deri në Kabul: populli i mrekullueshëm sovjetik nuk ia ka falur këtë rrugë Afganistanit vetëm sa për ta përmirësuar infrastrukturën në këtë shtet të varfër, por ka përgatitur shtegun që një ditë të rrokulliset me tanke deri në kryeqytet. 15 vjet më vonë, ky parashikim i zymtë u bë realitet. Më 26 dhjetor të vitit 1979, një kolonë e tankeve sovjetike kaloi rrugën e gjatë 400 km nga qyteti kufitar Termez deri në Kabul. Vetëm një javë më vonë, pesë divizione ruse, me rreth 40 mijë ushtarë, vunë tërë Afganistanin nën kontrollin e tyre. Më vonë, numri i ushtarëve sovjetikë që luftonin në Afganistan u ngrit në 140 mijë.
Para fillimit të invadimit, parashutistët rusë ishin infiltruar fshehurazi në Afganistan dhe kishin eliminuar anëtarët e rezistencës. Pas invadimit të tyre, sovjetikët instaluan një kryeministër të ri në Kabul: Babrak Karmal më pas kërkoi “ndihmën vëllazërore” të Moskës. Me këtë kërkesë duhej të legjitimohej marshi sovjetik në Afganistanin deri në atë moment neutral. Qysh 18 muaj para invadimit në prill të vitit 1978, oficerët besnikë ndaj Bashkimit Sovjetik në radhët e ushtrisë afgane vranë presidentin jokomunist të vendit, Mohammed Daudin, pasi që kishte tentuar t’i zbuste lidhjet e ngushta të vendit të tij me pushtetarët sovjetikë në Moskë.
Por, Moska ua ktheu një vit më vonë shpinën edhe dy pasardhësve komunistë të Daudit, Mohammed Tarakit dhe Hafisullah Aminit, pas forcimit të rezistencës së mullahëve dhe kryengritësve anti-sovjetikë. Në fillim të vitit 1979, Afganistani u zhyt në luftë qytetare.
Me gjithë situatën mjaft të vështirë, kryetari i atëhershëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Leonid Brezhnev, ishte i mendimit se do ta vendoste rregullin në Afganistan brenda gjashtë muajve: Moska do të vendoste një qeveri besnike dhe më pas do të tërhiqej.
Por, gjërat nuk rrodhën sipas planeve të Moskës. Mullahët me ndikim organizuan njësi ushtarake, por ata me armatimin e tyre të vjetër nuk mund t’i bënin ballë makinerisë luftarake sovjetike. Humbjet në radhët e kryengritësve islamikë fillimisht ishin të mëdha, por kthesa u nis pas ndërhyrjes indirekte të SHBA-së. Presidenti Jimmy Carter shfuqizoi kontratën për të furnizuar sovjetikët me armatim në vlerë prej 2 miliardë dollarë. Faza e shkurtë e afrimit mes Lindjes dhe Perëndimit përfundoi. Lufta e Ftohtë filloi të karakterizojë sërish agjendën politike.
Në atë periudhë, bota më shumë u frikësohej aspiratave hegjemoniste të Bashkimit Sovjetik, sesa islamit agresiv. SHBA-ja nuk u përfshi drejtpërsëdrejti në luftë, por u mor vendimi që armatimi të dërgohej në Pakistan me qëllim që ky vend ta dirigjojë kryengritjen kundër sovjetikëve në Afganistan. Shërbimi i fshehtë pakistanez, ISI, filloi t’i kanalizojë mjetet e amerikanëve kah muxhahidinët në Afganistan. Tash, “luftëtarët e shenjtë” befas filluan të përballen me sovjetikët me armatim të teknologjisë së lartë, përfshirë këtu edhe raketat Stinger. Muxhahidinët e organizuar në shtatë parti filluan të rekrutojnë luftëtarë nga radhët e rreth 4 milionë refugjatëve afganë, të cilët kishin kërkuar strehim në Pakistan. Intervenimi në Afganistan u shndërrua në një katastrofë për Bashkimin Sovjetik. Mikhail Gorbachov gjatë një fjalimi të mbajtur në vitin 1986 e cilësoi Afganistanin si një plagë të përgjakur, e cila duhet të mbyllet. Tri vjet më vonë, ushtria e mposhtur sovjetike u tërhoq nga Afganistani. Mbi 15 mijë ushtarë sovjetikë ishin vrarë. Moska gjatë dhjetë viteve kishte shpenzuar 86 miliardë dollarë për luftën e humbur. Dy vjet pas tërheqjes nga Afganistani filloi edhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Edhe SHBA-ja u tërhoq nga Afganistani me qëndrimin misioni u kompletua. Por, çfarë pasojash kishte kjo për këtë shtet në Hindukush, këtë mund ta shohim edhe sot. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›