Laçi po përgatit parakalimin në renditje të Dinamos
Dinamo duket se i ka larë duart me kampionatin dhe shikon si mundësi të vetme për të marrë pjesë në Kupat e Europës triumfin në Kupën e Shqipërisë. Autori i golit të vetëm të Dinamos në përballjen me Shkumbinin, Igli Allmuça, e vlerëson ndeshjen e radhës me Laçin, por nuk e mohon se objektivat tashmë kanë ndryshuar. “Laçi është një skuadër e fortë sidomos në shtëpi. Ata dinë si të marrin maksimumin nga fusha e tyre, por duhet ta kenë të qartë se ne jemi Dinamo dhe nuk shkojmë askund për shëtitje. Ata kanë probleme? Nuk më interesojnë problemet e tyre, pasi edhe ne kemi tonat. Duhet të fitojmë që të mos biem shumë poshtë në renditje, por tashmë të gjithë e kanë të qartë se objektivi ynë i vetëm është Kupa e Shqipërisë”, ka deklaruar në linjë telefonike Igli Allmuça. Dinamo është e pesta në renditje, me 29 pikë, 2 më shumë sesa Laçi i vendit të gjashtë.
Ndërkohë, në Laç kanë nisur problemet e para. Presidenti Pashk Laska nuk e ka kapërcyer dot humbjen 2-0 kundër Vllazninë në Shkodër, në kuadër të Kupës dhe ka bërë gati operacionin “fshesa” në gjirin e skuadrës. Pretendohet se do të largohen katër lojtarë, ku midis tyre janë edhe 3 kroatët e ardhur në merkaton e janarit: Vidanoviç, Mijaloviç, Dragiçeviç. Më shumë sesa humbja, shkaku real ka qenë mosrealizimi i objektivit për kurbinasit, pjesëmarrja në Kupat e Europës, pasi në kampionat janë shumë poshtë në renditje, ndërsa në Kupën e Shqipërisë janë praktikisht të eliminuar.
Në Krujë, derbi i mbijetesës
Ndonëse nuk i përket kreut të renditjes, nuk mund të mohohet aspak interesi i ndeshjes Kastrioti-Besa. Si krutanët, ashtu edhe kavajasit janë në kuotë të njëjtë pikësh, 22, dhe do të kërkojnë me patjetër t’i shkëpusin pikë të vlefshme njëra-tjetrës dhe të lënë pas Teutën në katër ekipet që rrezikojnë rënien nga kategoria. Krutanët vuajnë prej disa ndeshjesh në marrjen e një fitoreje, ndërsa Besa udhëton në Krujë me moral të lartë, pas fitores 1-3 ndaj Skënderbeut në Korçë në kuadër të Kupës së Shqipërisë.
Të tjerat
Të dielën do të luhen dy takimet e radhës së javës së 21-të. Elbasani do të presë Vllazninë, ndërsa Tirana pret Shkumbinin. Të dyja ndeshjet paraqesin interes, sepse verdheblutë kanë në dorë një nga shanset e fundit për të qëndruar në vallen e shpëtimit, ndërsa shkodranët duan të rikuperojnë sa më shumë nga rezultati i kryendeshjes Skënderbeu-Flamurtari. Nga ana tjetër, Tirana nuk kërkon të humbasë shumë terren nga vendi i tretë, çka do t’i garantonte pjesëmarrjen në Europë, pavarësisht rezultatit në Kupë. Ditën e hënë, padyshim që gjithë kërshëria është zhvendosur në Korçë. Skënderbeu-Flamurtari është ndeshja e vitit, ajo që do të përcaktojë kampionatin. Korçarët kanë ndryshuar trajner vetëm dy ditë më parë, duke larguar Muçën dhe duke i besuar ekipin Duros. Nga ana tjetër, Flamurtari paraqitet një ekip solid dhe kërkon ta mbyllë që në këtë përballje çështjen e kurorës së kampionit. Bylis-Teuta. Ballshiotët janë turpëruar një fazë më parë 6-1 nga durrsakët dhe po bëjnë gati hakmarrjen ideale, Por duhet të ruhen nga djemtë e Edi Martinit, që mbase nuk kanë eksperiencë, por janë plot talent.