E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwelle: Fund dhunës në Egjipt

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle u shpreh i shqetësuar për trazirat e fundit në Egjipt. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të heqin dorë nga përdorimimi dhunës.

Rreth një javë para fillimit të zgjedhjeve parlamentare situata në Egjipt është përkeqësuar nga protestat kundër Këshillit Ushtarak që drejton vendin.

Në sheshin Tahrir në Kajro gjatë një bastisjeje të një kampi të ngritur në një çadër pati përleshje mes policisë dhe demonstruesve. Si pasojë u vra një 23 vjeçar dhe rreth 750 njerëz u plagosën, në mesin e të cilëve edhe të paktën 40 pjesëtarë të forcave të sigurimit, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Edhe në qytetin port Aleksandria humbi jetën gjatë një demonstrate të paktën një person. Protestat drejtohen kundër qëllimit të Këshillit ushtarak për t`i dhënë të drejta të posaçme forcave të armatosura në Kushtetutën e re. Zgjedhjet e para në Egjipt që nga rrëzimi i presidentit autokrat Husni Mubarak në muajin shkurt do të fillojnë më 28 nëntor të këtij viti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›