Westerwelle përkrah axhendën evropiane të Kosovës
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, me të cilin diskutuan për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, zhvillimet në tre komunat veriore të Kosovës dhe situatën e përgjithshme politike në vend.
Në takim Jahjaga ka theksuar se institucionet e Kosovës e shohin dialogun teknik me Serbinë si mënyrën e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje.
Ajo theksoi se procesi i dialogut përfiton me garantimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga Bashkimi Evropian duke respektuar përfaqësimin e Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, në të gjitha marrëveshjet e arritura.
Ministri Westerwelle ka shprehur përkrahjen e Gjermanisë për Republikën e Kosovës në konsolidimin e mëtejshëm të saj në skenën ndërkombëtare, agjendën e saj evropiane dhe vazhdimin e dialogut teknik.
Ai inkurajoi bashkërendimin dhe bashkëpunimin e përfaqësuesve dhe liderëve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare në avancimin e proceseve demokratike dhe sigurimin e lirisë së plotë të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, si një vlerë evropiane.