E Shtunë, 31 Tetor 2026

Whitmore: “Presidenti, sfidë e suksesshme për Shqipërinë”

16-06-2012 / Gazeta 55

Kreu i Autoriteteve Lokale e Rajonale vlerësoi zgjedhjen e presidentit të ri të republikës
 
Me kreun e Kongresit evropian të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Keith Whitmore u takua dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Zonja Topalli shprehu mirënjohje për mbështetjen që i kanë Shqipërisë në të gjitha proceset demokratike.
Gjatë takimit, Kryetarja e Kuvendit i uroi mirëseardhjen delegacionit të autoriteteve lokale dhe i falënderoi ata për mbështetjen që i kanë Shqipërisë në të gjitha proceset demokratike.
Jozefina Topalli tha se, Presidenca shqiptare e KiE, në këtë 100 Vjetor të krijimit të shtetit, shënon një ngjarje të  madhe historike për Shqipërinë, në mandatin e së cilës, do të ketë aktivitete shumë të rëndësishme.
Presidenti i Byrosë së Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale Keith Whitmore tha se Shqipëria ka shënuar arritje të jashtëzakonshme dhe se, Presidenca e KiE është një përgjegjësi e merituar. Ai përgëzoi Kryetaren e Kuvendit për procesin e zgjedhjes  së Presidentit, si një sfidë e përballuar me sukses.
Më tej, biseda u përqendrua te çështjet e pushtetit lokal, çështje që u trajtuan nga Byroja e autoriteteve lokale të Evropës, në forumin e Tiranës. Kryetarja e Kuvendit tha se pushteti vendor është shumë i rëndësishëm për qytetarët, pasi në strukturat e tij mbrohen interesat dhe pjesëmarrja e komunitetit.
Në takim u vlerësuan hapat shumë të rëndësishëm që kanë ndërmarrë institucionet shqiptare ne decentralizimin e pushtetit lokal. Kongresi i autoriteteve lokale të Evropës zhvilloi këto ditë në Tiranë forumin e Byrosë,  në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës, ku morën pjesë drejtues të pushtetit lokal nga vendet e Evropës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›