A erdhi radha e Spanjës?
Dy javë pasi Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, u zotua se “nuk do të ketë nevojë për një fond shpëtimi për sistemin bankar spanjoll” dhe pas ditëve ndërmjet, gjatë të cilëve ai ushtroi presion mbi zyrtarët evropianë për kushte më të qëndrueshme shpëtimi, Spanja tanimë i është bashkangjitur Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë si marrësi i fundit i një dorëzanie. U shmang katastrofa? Mezi. Dorëzanitë - kjo për Spanjën ka një vlerë prej 125 miliardë dollarësh - supozohet se ndihmojnë në rikthimin e investitorëve. Por investitorët kanë dëshmuar në mënyrë të qartë atë që shumë politikanë evropianë vazhdojnë ta mohojnë: Dorëzanitë në seri, planet pjesore dhe masat shtrënguese të njëllojta për të gjithë nuk përbëjnë zgjidhje. Të hënën, kostoja italiane dhe spanjolle e kredimarrjes u gozhdua pasi z. Rajoy, një ditë më parë ishte përpjekur në mënyrë jo bindëse të minimizonte dorëzaninë - duke e quajtur atë një linjë kredie 1 - teksa kryeministri i Italisë, Mario Monti, hodhi poshtë në mënyrë publike një rrezik “të përhershëm të përhapjes së këtij fenomeni”. Ndërkohë fatkeqësia tjetër potenciale është vetëm disa ditë larg. Të dielën, votuesit grekë iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur një qeveri të re, me anë të së cilës do të nënkuptojnë nëse dëshirojnë të qëndrojnë në Eurozonë apo jo. Një dalje e rrëmujshme e Greqisë nga Eurozona (është e vështirë të imagjinosh një dalje të rregullt) mund të kërcënojë stabilitetin bankar tejembanë unionit 17-kombësh. Disa analistë po paralajmërojnë se kjo mund të shkaktojë një krizë financiare globale të tipit “Lehman Brothers”. Spanja kishte nevojë urgjente për dorëzani, dhe kjo mund të rezultojë një paketë më e mirë se të tjerat. Qeveria spanjolle do të jetë në gjendje t’i përdorë paratë për qëllimin e vetëm të rikapitalizimit të bankave të saj, duke shmangur kushtet e ashpra dhe kundërproduktive të kursimit që iu imponuan Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë. Kushtet e lirshme u prezantuan si një farë shpërblimi për disiplinën fiskale vullnetare të Madridit përgjatë muajve të kaluar. Shpresojmë se kjo të nënkuptojë gjithaq se zyrtarët gjermanë dhe ato evropianë po fillojnë të kuptojnë se asketizmi i pamëshirshëm që kanë kërkuar deri më tani ka qenë dështim. Tkurrja fiskale ka thelluar recensionin në ekonomitë në përpëlitje të Evropës, duke i bërë ato akoma më të paafta për të paguar borxhet. Kjo ka çuar gjithashtu edhe në trazira sociale dhe politike; shembulli tipik i kësaj është Greqia. Telashet e Spanjës nuk vijnë nga huamarrja e një qeverie të shthurur por nga shpërthimi i flluskës së strehimit që ka shkatërruar bankat të cilat kanë lëshuar shumë kredi, në mënyrë kaq të pakujdesshme, dhe për shumë kohë. Dorëzania aktualisht i jep Bashkimit Evropian autoritetin që të monitorojë bankat që kanë përfituar nga kjo dorëzani dhe që të ketë më shumë ndikim në reformat strukturore, përfshirë zgjidhjen e lidhjes së fortë mes politikanëve lokalë dhe bankave lokale. Por, kjo nuk e nxjerr Spanjën jashtë rrezikut. Kjo dorëzani do t?i shtohet ngarkesës së borxhit publik të vendit, duke e bërë kështu më të vështirë për qeverinë spanjolle që të paguajë borxhet ekzistuese dhe të ofrojë shërbimet bazë në të njëjtën kohë. Ndërkohë, duket e pashmangshme edhe një dorëzani e mëvonshme për të mbështetur qeverinë. Ç’ka na sjell përsëri tek çështja kryesore. Me çdo zgjidhje të përkohshme për krizën e borxheve në Eurozonë, çarja zmadhohet ndërsa kohë-qetësia pas zgjidhjes së përkohshme sa vjen e shkurtohet. Liderët evropianë - veçanërisht kancelarja gjermane Angela Merkel - kanë nevojë për një dosje me strategji të reja. Paktet e mëparshme me masa shtrënguese duhet të zbuten; nëse është politikisht e pamundur t’i referohesh këtij procesi si ?rinegocim? atëherë quaje ndryshe, për aq kohë sa marrëveshjet e reja të lejojnë marrjen e masave për nxitjen e rritjes ekonomike dhe rritjen e punësimit. Në takimin e planifikuar për më vonë gjatë këtij muaji, liderët evropianë duhet gjithashtu të përshpejtojnë procesin e integrimit institucional, duke nisur me sistemin bankar të kontinentit, përfshirë garantimin e depozitave në të gjithë Eurozonën, mbikëqyrjen e bankave si dhe planet e përbashkëta për menaxhimin e dështimeve bankare. Në qoftë se Evropa nuk mund t’i ndërmarrë këto hapa nistorë, atëherë do të ishte budallallëk të besosh se këta liderë do të dakordohen ndonjëherë për bashkim fiskal dhe politik, pa të cilët euro-ja nuk do ia dalë dot.
...