E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia “përmbyt” Laçin



Vllaznia mori tri pikë të merituara në fitoren 1-0 në Laç, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Kategorisë Superiore. Golin e vetëm të takimit e realizoi mbrojtësi 21-vjeçar Olsi Gocaj në minutën e 17-të, i cili i dhuroi shkodranëve fitoren e tretë në transfertë, por dhe ktheu golaverazhin më shenjën “plus”. Një Vllazni tashmë në kuotën e 24 pikëve (po aq sa Dinamo) dhe në vendin e katërt, teksa dëshmon se afrimi i Mirel Josës po prodhon rezultate dhe pikë të çmuara. Në pesë javët e ish-trajnerit të Shkumbinit, Vllaznia ka grumbulluar 10 pikë, ndërkohë që kuqeblutë nuk e njohin humbjen nga java e 9-të.
Kastrioti fitoi 3-1 me Elbasanin në Krujë, ndaj një skuadre verdheblu jo në kondicionin e duhur fizik, për shkak të bojkotimit disaditor të stërvitjes. Drejtuesit e Elbasanit një ditë më parë kryen edhe pagesat e prapambetura ndaj lojtarëve, të cilët u bindën të udhëtonin me Krujë nën urdhrat e trajnerit Krenar Alimehmeti. Mesfushori Enkel Alikaj në të 45’ (goli i tij i dytë sezonal), braziliano-kroati Robert Alvizh në 57’ (goli i tij i dytë sezonal) dhe sulmuesi kroat Ivan Babiç në të 59’ (goli i tij i pestë sezonal) e çuan rezultatin në 3-0 përpara se Endri Dalipi i Elbasani të shënonte golin e nderit për Elbasanit. Kjo ishte rrjeta e pestë për 27-vjeçarin. Tri pikë të çmuara për Kastriotin, të barazuar në kuotën e 17 pikëve me Laçin, por me krutanët që mbajnë vendin e tetë. Në “Adush Muça” të Ballshit, Lilaj, me golin e tij në minutën e 94-të i dha një pikë të çmuar Tiranës së tij në barazimin 1-1 ndaj Bylisit vendas. Popoviç shënoi për Bylisin në minutën e 48-të. Për Bylisin kjo ishte hera e katërt që pëson gol në minutat shtesë, duke ia hequr mundësinë ose të shmangë humbjen apo të marrë fitoren, kështu i ka ndodhur në humbjet me Vllazninë dhe Elbasanin, por dhe në barazimet me Skënderbeun dhe Tiranën. Një pikë me vlerë për Bylisin në luftën për mbijetësë, ndërsa edhe për Tiranën duhet të thuhet se shmangu humbjen e pestë sezonale. Ditën e diel do të përballen çiftet Skënderbeu-Shkumbini (me debutimin e Përparim Daiut në kampionat) dhe Dinamo-Teuta. Të hënën, java e 14-të mbyllet me ndeshjen Flamurtari-Besa, ose e përkthyer me “gjuhën e renditjes”, kreu kundër bishtit të kampionatit.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 14

Të shtunën, 11 dhjetor
Laçi-Vllaznia 0-1
Bylis-Tirana 1-1
Kastrioti-Elbasani 3-1

Të dielën, 12 dhjetor
Skënderbeu-Shkumbini 13:00
Dinamo-Teuta 13:00

Të hënën, 13 dhjetor
Flamurtari-Besa 13:00

RENDITJA

1. Flamurtari 28
2. Skënderbeu 25
3. Dinamo 24
4. Vllaznia 24
5. Tirana 22
6. Teuta 18
7. Shkumbini 17
8. Kastrioti 17
9. Laçi 17
10.Bylis 12
11.Elbasani 9
12.Besa 9

* Elbasani është penalizuar nga FIFA me –3 pikë

Dinamo, fund serisë pa fitore

Dinamo ndaj Teutës synon t’i japë fund serisë pa katër fitore në ndeshjet e fundit. Kampionia në fuqi dhe veçanërisht trajneri argjentinas Luis Manuel Blanko është përpara një testi të rëndësishëm ndaj durrsakëve ambicozë, të cilët mbërrijnë në kryeqytet pas fitores 2-0 ndaj Skënderbeut. Në fazën e parë, Dinamo fitoi 2-1 në Durrës. Në ballafaqimin e fundit në kryeqytet, Teuta fitoi 2-1 ndaj Dinamos në “Qemal Stafa”.
Dinamo nuk fiton qysh nga java e 9-të kur fitoi me Kastriotin në Krujë. Qysh atëhërë 18 herë kampionët barazuan 3-3 me Laçin, humbën 3-2 dhe 3-1 respektivisht me Skënderbeun dhe Flamurtarin, si dhe barazuan 1-1 me Besën në javën e 11-të.

Skënderbeu beson te faktori “shtëpi”

Skëndërbeu dëshiron të lërë pas sa më shpejt humbjen e hidhur me Teutën në javën e 11-të, duke shpresuar në hakmarrjen kundër Shkumbinit, ndaj të cilit humbi 3-1 në fazën e parë. Korçarët janë të fortë në shtëpi, ku kanë marrë 100 për qind të pikëve nga gjashtë ndeshjet të luajtura. Shkumbini do të paraqitet në Korçë me trajnerin e tretë sezonal, Përparim Daiut, pas shkarkimi të Mirel Josës dhe dorëheqjes së papritur të Mirel Josës. Skënderbeu - një prej skuadrave më të financuara në këtë sezon - për momentin ndodhet në vendin e dytë, me 25 pikë, 3 pikë më pak se Flamurtari kryesues, me vlonjatët që do të luajnë të hënën ndaj Besës së vendit të fundit.

Flamurtari kërkon Migen Memellin

Flamurtari është në vend të parë në kampionat dhe këtë vit titulli kërkohet me çdo kusht nga të gjithë në Vlore e me shumë se të tjerët e kërkon presidenti Gjika. Rivaliteti më i madh këtë sezon është me Skënderbeun. Korçarët do të forcohen me disa futbollistë në janar dhe në Vlorë po mendojnë kundërpergjigjen. Migen Memelli është ëndrra e Flamurtarit dhe në janar Gjika ka ndërmend t’i bëjë një oferte të majme sulmuesit. Memelli luan në Arabinë Saudite me skuadrën e Al Faysalit dhe ky rikthim në Vlorë është thuajse i pamundur. Ai vjet luajti për këtë skuadër dhe shënoi 14 gola.

Tomori likuidon Lushnjën,
sherr dhe tre karton të kuq

Pogradeci vazhdon të shfaqë profilin e një skuadre të fortë, duke “likuiduar” në javën e 12-të të Kategorisë së Parë një tjetër rival, Apoloninë, me një fitore të ngushtë 1-0 (gol i Enkelejd Pengut), por që e mban skuadrën pogradecare në kuotën e 28 pikëve, me tri pikë më shumë se Kamza e vendit të dytë. Kamzalinjtë e drejtuar nga Skerdi Bejzade mposhtën po 1-0 debutuesit e Mamurrasit, me golin e Likmetes në pjesën e dytë. Një fitore të rëndësishme regjistroi Tomori në “Roza Haxhiu”, duke triumfuar 2-1 ndaj Lushnjës vendase. Ilirjan Çaushaj me dy golat e vonshëm të tij bëri të pavlefshëm rrjetën e realizuar nga Galica në pjesën e parë. Tre kartonë të kuq janë dhënë në këtë sfidë, dy për vendësit dhe një për beratasit, pas një sherri masiv mes futbollistëve të të dyja skuadrave. Besëlidhja me pretendime është mundur nga Vlora, që nuk stërvitej fare prej 1 jave, për shkak se presidenti i saj, Agron Haxhiraj, i akuzon lojtarët e tij se kanë shitur ndeshjen e shkuar me Pogradecin. Ndeshja është luajtur në Patos dhe Vlora ka mundur të fitojë minimalisht, 1-0, ndaj Besëlidhjes, duke i hequr kësaj të fundit mundësinë për të marrë pikë dhe për t’u ngjitur edhe më tej drejt kreut, ku aspiron. Luftëtari ka mundur minimalisht Burrelin, por ka mjaftuar për të dalë me 3 pikë nga stadiumi i Gjirokastës, ashtu sic ka vepruar edhe Bilisht Sporti, në fushën e vet, ku ka dërrmuar thellësisht Tërbunin e Pukës, me rezultatin 5-1. Partizani ka pasur një defekt në autobusin e tij, teksa po udhëtonte drejt Gramshit, cka ka bërë që ndeshja mes këtyre dy skuadrave të nisë me vonesë. Pjesa e parë është fituar nga të kuqtë, me golin e Dushkut, realizuar në minutën e 24-t, ndërkohë që në pjesën e dytë kanë përmbysur gjithçka vendësit, me 3 gola të realizuar nga Mirovic, Cekrezi dhe Koci.

KATEGORIA E PARË
JAVA 12

Lushnja-Tomori 1-2
Luftëtari-Burreli 1-0
Pogradeci-Apolonia 1-0
BilishtI S.-Tërbuni 5-1
Gramshi-Partizani 3-1
Kamza-Mamurrasi 1-0
Vlora-Besëlidhja 1-0
Ada-Gramozi (e shtyrë)

13 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›