E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova mirëpret rezolutën e re BE-Serbi, priten bisedimet mes palëve



Prishtina zyrtare e ka mirëpritur rezolutën e re të Serbisë, e cila u arrit si kompromis mes BE-së dhe Beogradit. Ditën e djeshme, ky dokument u shqyrtua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe për herë të parë qeveria e Kosovës thotë bie dakord me pikat e parashtruara. Në projektin e ri bëhet thirrje për dialog mes dy shteteve, për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Projekti i ndryshuar përmend faktin se “një zgjidhje e pranuar nga të dy palët mund të gjendet nëpërmjet negociatave”. Rezoluta e hartuar fillimisht nga Serbia ishte kritikuar nga BE-ja, sepse dënonte shpalljen e pavarësisë nga Kosova. Qeveria serbe këmbëngul se rezoluta e ndryshuar nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Prishtina
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, qeveria e Kosovës bëri të ditur se Rezoluta, që ka mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve “është në përputhje të plotë me realitetin e krijuar në Kosovë dhe në rajon. Kjo Rezolutë merr në konsideratë mendimin këshillëdhënës të GJND-së, e cila ka shprehur vendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë. “Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për deklaratën e bërë publike nga Qeveria e Serbisë, e cila në mënyrë dëshpëruese përpiqet të krijojë keqinterpretime dhe pritje false lidhur me përmbajtjen e Rezolutës së re të përpiluar nga BE-ja dhe SHBA-të”, thuhet më tej në deklaratë.

Kompromisi
Sipas analistëve, çelësi i kompromisit duket të jetë përpjekja e ekspertëve BE-së për ta formuluar tekstin e Rezolutës në mënyrë të tillë që secila palë të mund ta interpretojë atë në mënyrën e tij e në të njëjtën kohë të mos jetë e dëmshme për asnjë proces. Projekti i ndryshuar përmend faktin se “një zgjidhje e pranuar nga të dy palët mund të gjendet nëpërmjet negociatave". Duke parë tekstin e ri të rezolutës dhe duke e krahasuar atë me variantin e parë që Serbia kishte dorëzuar, është e qartë se ka ndryshime rrënjësore. Në tekstin e parë që ishte krejtësisht i papranueshëm për shumicën e vendeve të BE së, Serbia dëshironte që Asambleja e Përgjithshme të thotë se "shkëputja e njëanshme nuk është zgjidhje", duke patur parasysh se statusi i Kosovës për shumicën e vendeve të BE-së së është zgjidhur dhe ai është pranuar nga këto vende. Nuk ka qenë i pranueshëm as formulimi ku ftohej për dialog në mes të dy palëve për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për çështjen e statusit. SHBA-të dhe 22 vende anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën reaguan me zemërim dhe bënë fushatë që vendet e tjera të votonin kundër projekt-rezolutës, duke i sugjeruar Beogradit se kërkesa për anëtarësim në BE do të vihej në rrezik.

Bashkimi Europian
BE-ja e ka përshëndetur vendimin e Serbisë që të pranojë kushtet e e saj për paraqitjen e tekstit të ri të projekt-rezolutës për Kosovën. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kethrin Ashton ka thënë se përshëndet ngrohtësisht njoftimin e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, lidhur me hapat e ardhshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në lidhje me projektrezolutën për vendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Ashton tha se tashmë kjo projektrezolutë do të paraqitet nga 28 vende europiane, 27 vendet anëtare të BE-së dhe Serbia.

Përmbajtja e Rezolutës së re serbe

Përmbajtja komplete e Rezolutës është si vijon:

a) Të vetëdijshëm për qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara;

b) Duke pasur parasysh funksionet dhe autorizimet mbi bazën e Kartës së Kombeve të Bashkuara;

c) Duke rikujtuar rezolutën 63/3 nga 8 tetori i vitit 2008, me të cilën kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të japë mendimin këshillëdhënës lidhur me pyetjen: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga ana e institucioneve të përkohshme të vetadministrimit në Kosovë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”;

d) Duke pranuar me respekt mendimin këshillëdhënës të GJND-së më 22 korrik 2010 nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe pas shqyrtimit të kujdesshëm të së njëjtës, duke përfshirë edhe çështjen, për të cilën është dhënë mendimi;

e) Ka në dijeni përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës të GJND-së për atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Kosovën, duke përfshirë edhe kërkesën e Kuvendit të Përgjithshëm;

f) Përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Europian që ta lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet palëve. Procesi i dialogut vetvetiu do të ishte faktor paqe, sigurie dhe stabiliteti në rajon. Ky dialog do të kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit, të realizojë avancim në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe të përmirësojë jetën e njerëzve.

10 Shtator 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›