E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks: Jac’mendon Amerikapër politikanët grekë

ATHINE- Gazeta greke Kathimerini ka publikuar sot tekstet e disa telegrameve të fshehta, përmbajtja e të cilave lidhet me politikanët kryesorë grekë, raportet e tyre me SHBA dhe mënyrat e tyre të të bërit politikë.
Sipas gazetës që i referohet Wikileaks, këto telegrame janë shkruar nga ambasadorët amerikanë në Athinë dhe informojnë Uashingtonin për profilet e krerëve të politikës greke dhe situatën politike në Greqi.

Telegramet e dërguar nga ambasadori Carls Ris, e përshkruajnë kryetarin e PASOK-ut, kryeministrin e sotëm Jorgos Papandreu, si një njeri që me vështirësi arrinte të mbante ekuilibrat në partinë e tij, ku polemikat mes klaneve të vjetra dhe prurjeve të reja kanë qenë të vazhdueshme.

Si ministër i jashtëm, Papandreu krijuar një reputacion të mirë në komunitetin ndërkombëtar. Ai është një njeri i matur dhe partner konstruktiv me perëndimin, – thuhet në telegrame, por theksohet gjithashtu se ai duhet të rishikojë retorikën e tij anti-amerikane, të cilën e përdorte për të shmangur cilësimet që shpesh i bëheshin si proamerikan.
Një tjetër telegram është dërguar nga ambasadori amerikan Daniel Spikhard kur Papandreu fitoi zgjedhjet në 2009 dhe mori përsipër të drejtonte një parti që historikisht ishte mbështetur në nepotizmin dhe klientelizmin. Ai premtoi një qeverisje të hapur, premtim që u mirëprit nga amerikanët.

Pas takimit të parë me kryeministrin e kohës Kostas Karamanlis, ambasadori amerikan Speckhard në një telegram të 5 janar 2008 thotë: Është “Buda” i politikës greke. Ai ishte i clirët dhe shprehte në cdo rast respektin dhe simpatinë për SHBA, por kurrë atë që mendonte vërtet. Kur diskutimi kaloi tek Kosova dhe cështja e Maqedonisë, ateherë debati u ndez. Në telegram shihet me rezerva nga Amerika hapja e tij ndaj Rusisë.

Për zëvendëskryeministrin aktual Theodhoros Pangalos, në telegrame thuhet se është i aftë të përdorë fjalë të hidhura edhe me miqtë edhe me armiqtë e tij.

Evangjelos Venizelos, ish rivali i Papandreut për kreun e partisë, sot ministër i mbrojtjes, theksohet se ka njohuri në çështjet e mbrojtjes është orator i aftë, ambicioz, dinak, jo antiamerikan por as ndonjë admirues i madh i Amerikës.

Kreu i opozitës së sotme të Demokracisë së re, Antonis Samaras, cilësohet më konservator se ish-rivalia e tij për kreun e partisë Dora Bakojanis. Telegrami vlerëson se mes tyre nuk do të kishte kurrë një marrëveshje bashkëpunimi, për shkak të urrejtjeve të vjetra.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›