“Wikileaks”: Serbia e shqetësuar për të ardhmen e Maqedonisë

Autoritetet serbe janë shprehur të shqetësuara lidhur me të ardhmen e Maqedonisë, gjatë një takimi që kanë zhvilluar në muajin shkurt me ambasadoren amerikane në Beograd, Meri Verlik.
Qëndrimi i Beogradit bëhet i ditur nga një kabull i publikuar nga “Wikileaks”. Jovan Ratkoviç, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit Boris Tadiç, në takimin e 5 shkurtit ka folur mbi pikëpamjet e Serbisë në planin e zhvillimeve në rajon dhe situatës në vendet fqinje.
“Serbia është më shumë e shqetësuar për të ardhmen e Maqedonisë, sesa për të ardhmen e Bosnjës. Nuk është e qartë sesi një vend i përbërë nga dy grupe krejtësisht të ndryshme etnike, me gjuhë dhe fe të ndryshme, mund të qëndrojnë së bashku, veçanërisht me popullsinë shqiptare etnike, e cila për 20 vjet do të jetë e barabartë me popullsinë sllave”, ka theksuar Ratkoviç.
Ai ka informuar ambasadoren amerikane për përpjekjet e presidentit Boris Tadiç për kontestin e emrit mes Athinës e Shkupit. “Presidenti Tadiç është duke folur me të dyja palët për çështjen e emrit, Greqinë dhe Maqedoninë, me shpresën e zhbllokimit të rrugës së Maqedonisë në NATO dhe BE”, ka nënvizuar këshilltari për politikë të jashtme i presidentit serb Jovan Ratkoviç.
Në këtë korrespodencë të publikuar nga “Wikileaks”, zyrtari i lartë i presidencës serbe ka informuar ambasadoren amerikane edhe mbi raportet e Serbisë me vendet e tjera fqinje, duke përfshirë edhe Kosovën.