E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks, Topi: Qeveria presion mbi Presidentin e Institucionet e pavarura

TIRANE- Në një kabllogram të datës 29 janar 2010, Withers raporton për takimin që kish patur dy ditë përpara këtij mesazhi, me kreun e shtetit Bamir Topi, i cili i shprehte shqetësim për rritjen e presionit të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura në vend por edhe ndaj vetë atij, institucionit të presidencës. “Gjatë takimit të 27 janarit presidenti Topi u shpreh i shqetësuar për rritjen e presionit të qeverisë shqiptare ndaj institucioneve të pavarura përfshirë këtu zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, shërbimet inteligjente, media dhe gjykatat. Topi tha se bojkoti i opozitës në parlament vazhdon të mbajë pezull reformat e nevojshme në gjyqësor, të cilat kanë nevojë për 84 vota që të miratohen.”-thuhet ne mesazhin e Withers. Ish ambasadori tregon se presidenti iu ankua gjithashtu për mungesën e një opozite politike profesionale në Shqipëri, duke thene se këtë rol nuk mund ta bëjë ai. “Topi tha se aftësia e tij për të ndërmjetësuar krizën aktuale politike mes qeverisë dhe opozitës është e limituar pasi Partia Demokratike nuk e pranon atë si ndërmjetës”-vijon Withers duke u shprehur në mesazh se ndau shqetesimin e tij me kreun e shtetit ndërsa i shtoi “atij se shqiptaret duhet të ngrihen dhe të flasin për demokracinë shqiptare pasi komuniteti ndërkombëtar mund të japë pëkrahjen e tij por nuk mund të flasë në emër apo në vend të shqiptarëve.

Presioni në nivel maksimal
Në mesazh thuhet gjithashtu se gjatë ketij takimi, presidenti Topi tha se “presioni polititik ndaj institucioneve te pavarura ka arritur në një nivel maksimal, duke përfshirë këtu edhe presionin ndaj vetë presidencës. Withers thotë se “Topi i kërkoi atij një takim kokë më kokë me Prokruroren e Përgjithshme Ina Rama, duke i thënë se ajo ka nevojë për mbështetje. "

Ligji për SHISH, rikthim me epoken e Enver Hoxhes

Gjatë takimit Topi dhe Withers diskutuan edhe mbi ligjin e ri për Shërbimin Informativ Shqiptar, ku kreu i shtetit i kishte shprehur shqetësimin se projektiligji i paraqitur në parlament i kujtonte ish Sigurimin e Shtetit të periudhës komuniste. “Megjithatë Topi pranoi se zyra e tij nuk ka marrë ende një kopje të draftit dhe duhet ende tëe rishikojë zyrtarisht të gjithë ligjin. Topi tha se ka bërë gjithçka mundet që nga zgjedhja e tij në krye të shtetit për të mbrojtur pavaresinë dhe profesionalizmin e Shërbimeve Inteligjente dhe tha se do të insistojë që të thotë fjalen e tij edhe në këtë projektligj.”-vijon mesazhi iWithers.

Reforma në gjyqësor ka mbetur pezull
Në po të njëjtin takim te 27 janarit 2010, Topi i pati shprehur shqetësim ish ambasadorit Withers se reformat e nevojshme në gjyqesor si dhe emërimet kyçe në Gjykatën e Lartë po mbaheshin peng nga bojkoti i socialistëve në parlament. Topi tha se për shkak se shumica e ligjeve që prekin sektorin gjyqësor kërkojnë një mazhorancë 3/5 në parlament, miratimi i reformave kyçe ishte i pamundur për sa kohë do të vazhdonte bojkoti i socialistëve. “Topi tha se do që Partia Socialiste të jetë pjesë e procesit të miratimit dhe dëshiron që të evitojë kandidatët e përzgjedhur vetëm nga një parti në Gjykaten e Larte dhe atë Kushtetuese. „
“Topi ra në parim dakord ndaj sugjerimit të ambasadorit për të krijuar një komision gjyqesor bipartizan që do të ndihmonte në përzgjedhjen e njerëzve të kualifikuar për të mbushur një numër vendesh vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë të Kushtetueses. Ai ra dakord megjithëse me gjysmë zëri që me mbështetjen e ambasadorit të ndërmjetësojë diskutimet mes PD dhe PS për t’i dhënë fund bojkotit”-vijon mesazhi i Withers.

Komentet e Withers
Ndërsa në komentet e tij, në fund të këtij mesazhi, ish ambasadori amerikan shprehet se „duhen marrë parasysh këto shqetësime të presidentit, duke qenë se Topi është i ndërlidhur mirë me të dyja institucionet, Prokurorinë e Përgjithshme dhe SHISH dhe se ka autoritet të konsiderueshëm në sektorin gjyqësor. “Topi ka punuar në të kaluarën në mënyrë efektive për të mbrojtur interesat e tij dhe të drejtën në sektorin gjyqësor dhe SHISH, megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të dojë të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë herë”-komenton Withers. Sipas tij, me kaq shumë vende të lira në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese në muajt e ardhshëm, vullneti i Topit për të luftuar bashkë me një komision gjyqësor që i jep peshë procesit përzgjedhës të gjyqesorit, mund të jetë çelësi për të shmangur çdo përpjekje të kryeministrit për të mbushur këto dy gjykata me miqtë e tij. Sa i përket bojkotit, ambasadorët e BE-se do t’i dërgojnë Topit një mesazh të ngjashëm për të ndihmuar ne zgjidhjen e krizës politike.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Wikileaks: Berisha, fushatë e ulët ndaj Sollakut Wikileaks: Damir Fazlliç ruhet nga policia Wikileaks, Withers për Berishën, Topin e Ramën KLIKONI KETU PER TE LEXUAR TE GJITHA SHKRIMET E WIKILEAKS VIDEO: Kabllogrami i Withers: Shefi i Shtabit, i korruptuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›