E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks zbulon prapaskenat e sulmit mbi Temën

Hyrje:  Gazeta Tema po boton të plotë kabllogramin rreth raportit të ambasadës amerikane për mbylljen e saj. Shumë nga hamendjet e ambasadës kanë burim, siç shihet, Fatos Lubonjën dhe punonjës të tjerë të medias pro Berishës. Po i botojmë me shpresë se do t’u vijë turp nga vetvetja!

Më poshtë kabllogrami i plotë i ambasadës:

Mero Baze, publicisti i gazetës së përditshme me tirazh të vogël Tema njoftoi më 23 janar që Tema po shkonte drejt mbylljes. Baze tha se për më shumë se një vit gazeta kishte pasur përpjekje të guximshme për të mbijetuar pasi u evakuua nga ambjentet e saj në 2008-ën. Gjithsesi, ai tha se nuk mund të vazhdonte në këto kushte. Në një deklaratë të datës 27 janar të katër organizatave të mediave theksohej  se mbyllja e Tema-s ishte shkurajuese për gazetarët.  Të tjerë gazetarë të njohur gjithsesi thanë se Baze e ka përdorur gazetën që të kritikojë ashpër qeverinë, pas shumë vitesh mbështetje personale dhe politike të fortë ndaj kryeministrit Berisha, duke hedhur  fjalë të këqija ndaj rolit dhe reputacionit të Temë-s. E vërteta është pak a shumë një kombinim i të dyjave. Në Shqipëri, media e pavarur nuk  është as më pak  as më  shumë se sa një armë publike e partive politike dhe e bizneseve, dhe praktikisht të gjithë operojnë nën urdhërin e një partie politike apo të një kompanie të madhe mediatike.  Gazetaria e pavarur në Shqipëri është një përjashtim, jo një normalitet.

23 janar. 376 ditë pas evakuimit të saj nga zyrat e mëparshme nga qeveria, tashmë antiqeveritarja e përditshme “Tema” njoftoi se ndërprerja e publikimit do të jetë e menjëhershme.  Tema, editori i së cilës, Mero Baze, ishte dikur një njeri i besuar i kryeministrit Sali Berisha, pati një periudhë të vështirë, që kur qeveria ndërpreu kontratën e qirasë me të në dhjetor 2008 dhe e largoi nga zyrat e saj, me arsyetimin për ta larguar nga qendra e publikimit të kartave biometrike.

(Shënim: Evakuimi hasi në vendimin e një gjyqi që lejonte Temën të qëndronte në zyrat e saj të mëparshme. Qeveria amerikane dhe qeveritë evropiane e dënuan veprimin publik të qeverisë, duke e përfshirë në raportin e të Drejtave të Njeriut 2008).

Ndarja, referuar shumë burimeve, ndodhi kur Berisha rrëzoi një marrëveshje të negociuar nga Baze për të mbështetur interesat e biznesit të pronarit të qendrës së argëtimit Taivan Center. Shumë burime thonë që Baze është paguar 500 mijë euro të çlirojë një licensë kazinoje, por më në fund dështoi që ta bëjë këtë. Pronari i Taivan Center,  Besnik Sulaj, thuhej se zotëronte “Tema-n”, sipas disa dokumeteve të siguruara nga Ministria e Financave.

Evakuimi ishte vetëm fillimi i problemeve të Bazes. Vetëm disa javë pas evakuimit, makina e Bazes u dogj dhe më pas shpërtheu. Një hetim policor nxori si përfundim se makina u dogj vetë, por gjithsesi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit tha se hetimi ishte i nxituar. Më vonë, në nëntor 2009, Baze u sulmua në një bar në Tiranë nga biznesmeni Rezart Taçi. Taçi është i lirë me kusht në pritje të gjyqit.

Një tjetër gazetar i njohur në vend tregoi një histori të ndryshme lidhur me mbylljen e Temës. Opinionisti Fatos Lubonja, në një bisedë private në rezidencën e ambasadës në Tiranë disa javë më parë, tha se  pronari i Temës ka interesa të rëndësishme biznesi. Të tjerë gazetarë vënë në dukje se gazeta u mbyll sepse ishte duke humbur para dhe shumë shpejt kishte nevojën e një pronari. Lubonja dhe të tjerë gazetarë kritikojnë sulmin ndaj Bazes, por janë të kujdesshëm që  të klasifikojnë Temën, nga një gazetë pro-Berisha që është kthyer në një gazetë anti-Berisha, si një marrëdhënie fitimprurëse që nuk ishte më produktive. Opinionisti Blendi Kajsiu  tha në një editorial që “Tema” u mbyll sepse asaj i mungonte një parti politike apo një biznes i madh pas saj. Kajsiu e quan Temën gazeta e fundit e pavarur shqiptare, pasi Tema nuk ishte nën urdhërat e opozitës, qeverisë apo interesave të ndonjë biznesi të madh.

Koment:

Historia e Temës është historia e gazetarisë shqiptare në mikrokozmos. Baze përdori lidhjet e tij të afërta me kryeministrin në avantazh të tij për të ndërtuar gazetën dhe të afrojë përpkrahës financiarë për Temën dhe sipas disave, të pasurojë vetveten. Marrëdhëniet e Bazës me Berishën datojnë në vitet 1990, kur Baze ishte një mbështetes i Partisë Demokratike dhe kritik i vendosur i Partisë Socialiste,veçanërisht i kryetarit aktual të saj Edi Rama. Por, “Tema” pastaj vuajti pasojat pas ndarjes së Bazes me Berishën. Megjithatë, do të ishte një shtirje të thuhet se vetëm sulmi i qeverisë e nxori “Temën” jashtë  biznesit të medias. Edhe pse Baze ishte një nga kritikët më të ashpër të kryeministrit, gazeta  kishte një qarkullim relativisht të vogël. Pothuajse asnjë media e përditshme në Shqipëri nuk është me të vërtetë e pavarur, gati të gjitha prej tyre i përgjigjen një partie, interesave të biznesit, ose të dyjave. Gjatë debateve televizive në zgjedhjet e vitit 2009 Berisha dhe Rama u dërgonin mesazhe gazetarëve apo drejtuesve të TVshou duke ndërhyrë.Të dyja, qeveria dhe opozita në mënyrë konstate ushtrojnë presion mbi mediat duke përdorur kontratat e qirasë dhe licensat si gurë.  Shumë gazeta gjithashtu marrin para nga bizneset në mënyrë që të shkruajnë artikuj kritikë ndaj kundërshtarëve konkurentë.

Shkurtimisht, mbyllja e Temës vë në qendër të vëmendjes klimën e pashëndetshme të medias shqiptare, ku politika, media dhe biznesi janë partnerë të pandashëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›