Wikileaks: Topalli po e pozicionon veten si pasardhësja e Berishës
Ambasada amerikane raportonte në Departamentin e Shtetit edhe për çështje të brendshme partiake të PD-së apo PS-së. Në kabllogramet e nxjerra në dritë nga Wikileaks bëhet e ditur se Jozefina Topalli po krijonte imazhin e pasardhësit të Berishës në PD dhe kjo gjë sipas ambasadës i zemëronte shumë të tjerë brenda partisë. Ndërsa për PS-në, ambasada vëren ndryshimet e partisë pas ardhjes së Ramës në krye të saj, duke i zëvendësuar disa drejtues të vjetër me njerëzit e tij.
Topalli ka udhëtuar në shumë vende kohët e fundit, më shumë se çdo qeveritar tjetër, për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vendet e Organizatës Islamike. Stili i saj i fortë dhe i sigurt e ka kapur disa herë opozitën në mungesë vigjilence. Gjithashtu, ka dhe disa në partinë e saj që nuk e durojnë dot ndikimin që ajo ka te kryeministri. Me hyrjen e karrierës së kryeministrit në muzg politik, aktivizimi i saj në rritje duket si një pozicionim për ta përcaktuar vetën si pasardhësi, shumë kohë përpara se të hapet lufta për pushtetin dhe kreun e partisë, thuhet në raport. Në fund të dokumentit bëhet dhe një përmbledhje e jetës së kryeparlamentares:
Topalli vjen nga qyteti veriperëndimor i Shkodrës, një bastion i fortë i Partisë Demokratike. E lindur në një familje katolike, disidente dhe në një rajon antikomunist, Topalli hyri në politikë në vitin 1997 si anëtare e Parlamentit dhe Zëvendëskryetare. Ajo është një nga gratë e pakta që ka parlamenti.