E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëndija elektrike shkrumbon banesën në fshatin Zejmen



LEZHË – Një shkëndijë elektrike është bërë shkas që të shkrumbohet banesa e 42-vjeçarit në fshatin Zejmen të Lezhës. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të ditës së djeshme. Menjëherë pas rënies së flakëve, janë njoftuar forcat e repartit zjarrfikës, të cilët kanë shkuar në vendngjarje për të shuar flakët. Sipas tyre, është djegur plotësisht banesa njëkatëshe me tri dhoma, e cila ishte në pronësi të shtetasit Nikoll Pjetri, banues në fshatin Zejmen. Nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Zëdhënësja e Policisë thotë se sipas pretendimeve të të dëmtuarit, banesa është djegur si rezultat i një shkëndije elektrike, e cila ka shkaktuar zjarr pasi banesa ka qenë e mbuluar me çati.

Asfiksohet brenda në furgon 55-vjeçari

LAÇ – Një 55-vjeçar është asfiksuar brenda në furgon dhe vetëm mëngjesin e djeshëm është gjetur i vdekur. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës pohojnë se rreth orës 08:30 të ditës së shtunë, policia është njoftuar se në një varrezë makinash, në Lagjen Nr. 1 të qytetit të Laçit, është gjetur një kufomë. Pas verifikimeve të para rezultoi se viktima ishte shtetasi Qemal Hasolli, 55 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në Laç. “Nga të dhënat paraprake mendohet se vdekja të ketë ardhur nga asfiksia, pasi kufoma është gjetur i vdekur në një furgon të prishur, me dyer dhe dritare të mbyllura. Zëdhënësja e Policisë së qarkut shprehet se pritet përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore për të nxjerrë shkaqet e kësaj vdekje.

SHKURT

Vdes 31-vjeçari në aksident, makina rrëshqiti nga rruga

PEQIN - Një aksident me pasojë vdekjen e një 31-vjeçari ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Peqin-Rrogozhinë. Burime të policisë bënë të ditur se mjeti tip “Volskwagen”, me targë DR 4167 E, me drejtues shtetasin me iniciale M. T., ka dalë nga rruga duke shkaktuar vdekjen e drejtuesit të i mjetit. Grupi hetimor i ndodhur në vendin e ngjarjes paraprakisht konkludon se shkak i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe lagështira në rrugë, e cila ka sjellë edhe zhvendosjen e mjetit.

Arrestohet 24-vjeçari i kërkuar për armëmbajtje pa leje

ELBASAN - Një 24-vjeçar është arrestuar mëngjesin e djeshëm, pasi ishte shpallur person në kërkim për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Elbasanit pohojnë se shtetasi Armand Teta ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e rrethit Elbasan, ka nxjerrë urdhër ndalimi për të. Mësohet se ky shtetas, më datë 1 janar, ka qëlluar me armë zjarri të tipit pistoletë një bashkëmoshatarin e tij, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Tashmë 24-vjeçari Teta ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit.

Defekti në rrjetin kompjuterik bllokon punën në Portin e Vlorës

VLORË – Për disa orë është bllokuar puna në Portin e Vlorës për shkak të një defekti në sistemin qendror kompjuterik. Siç bëjnë të ditur burimet zyrtare në qytetin bregdetar, prej orës 8 të mëngjesit të djeshëm është pezulluar përpunimi i dokumenteve. Mbi 800 persona dhe rreth 200 automjete nuk mund të lëvizin me tragetet e linjës drejt Italisë, deri në rregullimin e avarisë, për të cilën po punohet nga specialistët, në Tiranë.
Burime nga Kapiteneria thanë se vetëm pasditen e së shtunës është riparuar defekti dhe ka filluar puna për lëvizjen normale të udhëtarëve nga Porti i Vlorës drejt Italisë dhe anasjelltas.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›