NJË ISHULL I VETMUAR…
(Historia e një gruaje pa emrin e vajzërisë)
Rudolf MARKU
Çdo herë që vjen Krishtlindja, mua më kujtohet Roza a Ruzha Kakarriqi, historinë e së ciles desha ta ndaj me lexuesit. Kam qenë ndoshta 4 a 5 vjeç, kur në shtepinë tonë erdhi për herë të parë një qenie mitike, veshur me rrobat përrallore të një njeriu që ka ardhë nga ca botëra tjera, me një zile në dorë dhe me shumë e shumë dhurata per ne, femijët… Tha se sapo kishte zbritur nga qiejt dhe, po të ishe fëmijë, siç isha unë aso kohe, nuk kishe se si të mos i besoje… Që asaj kohe, çdo natë Krishtlindjeje më është bërë zakon që të pres për t’m’u shfaqur ajo qenia e mirë mitike, me dhurata në një shportë dhe me një zile të vockël në dorë.
Disa vite me vonë, nëna ime më pat treguar se qenia mitike e asaj nate te Krishtlindjeve kishte qënë Roza a Ruzha, mikja e saj gjermane. Të dyja, ime amë në Shkodër dhe Roza në Munich kishin pasë lindur në të njëtën ditë, muaj e vit, dhe po ashtu ishin martuar në të njëtën ditë, muaj e vit. Një rastësi që i kish bërë të dyja të ndjeheshin shumë të afërta me njëra-tjetrën. Të dyja, me kursimet e bëra gjatë vitit, blenin dhuratat për ne fëmijët, që t’na i jepnin Natën e Krishtlindjeve. Roza vishte ato rrobat fantastike, që e kthenin në një qenie mitike të zbritur nga qiejt, dhe ne femijët jetonim ditët më të mira të jetes sonë.
1.
Me kalimin e viteve mësova historinë e Rozës, historinë se si një grua gjermane, bjonde, e bukur, e çuditshme, krejt ndryshe, jetonte në një qytet me ne. Familja e Rozës kishte lëvizur nga Bavaria në Kroaci, në atë pjesë të Kroacisë ku jetojnë bashkë kroatë, serbë, gjermanë, hungarezë, shqiptarë, hebrenj. Në vitin e fundit të gjimnazit, me klasën e saj bënë vizitën e parë në SHBA. Gjatë udhetimit, ne avulloren që shkon për në Nju Jork, ndodhet dhe një pasagjer me emerin Claudio Arran, pianist. Pianisti bie në dashuri keqas me Rozën dhe gjatë gjithë udhetimit luan piano për t’i tërheqë vëmndjen asaj. Ajo, e re, e bukur, e mençur, per një trill të fatit e refuzon dorën e pianistit. Shumë vite më vonë do të mesojë se Claudio Arran, pianist kilian me banim në Gjermani e me vonë në Nju Jork, do të konsiderohej pianisti më i madh i të gjitha kohnave pas Liszt. Sapo kthehet nga Nju Jorku, bën një tjetër vizitë në qytetin e Dubrovnikut, ku dhe rastësisht takon një djalosh shkodran, Ferdinand Kakarriqin, kampion i kanoes në Kroaci, basketbollist i talentuar dhe pinjoll i një nga familjeve më të njohura te Shkodres. Ferdinanti është gjatosh, elegant, sportive e tepër tërheqës. Ka natyrën e një njeriu të mirë, gazmor, fisnik, aventurier, guximtar dhe shoqëror. Shqiptari e kishte bërë përnjëherë për vete gjermanen dinjitoze. Ketë rrallë ishte ajo që binte marrëzisht në dashuri. Vendosen të jetonin në Dobrovnik, në shtepinë e Kakarriqëve, një shtepi dominuese në qytetin kroat. Jemi andej nga viti 1943. Së bashku me Ferdinantin bëjnë një vizitë në Berlin, tek e motra e Rozës. Pas dy muajsh, tek kthehen në Dubrovnik, e gjejnë shtepinë e tyre të kthyer në germadhë gjatë bombardimit të qytetit. Vendosen përkohësisht në shtëpinë e prindërve të Rozes. Më vonë Ferdinanti ngul këmbë që të shkojnë në vendin më të sigurt në të gjithë Evropën, në Shqipëri, në Shkodër. Nëse qytetet e Evropes digjeshin,nëse shtetet e Evropës pergjakeshin, ishte një vend larg nga lufta dhe marrezitë e luftes, dhe ky vend ishte Shqipëria. Me këtë endërr vijnë e vendosen në Shkoder, në shtepinë e madhe të Kakarriqëve, që kishte dhe kopshtin më të pasur me trandafila në të gjithë Ballkanin. Mendohej se një i afërm i Ferdinantit, sa herë që kthehej nga udhëtimet e tij neper botë, sillte lule, për t’i mbjellë në kopsht. Ai madje kishte sjellë nga Rusia edhe një pikturë të Rembrandit, që ruhej në shtepinë e tyre. Flitej se pinjolli i familjes kishte takuar rastësisht Leninin në Shen Peterburg, dhe Rembrandi ishte blerë me monedha ari direkt nga Ermintazhi me porosinë personale të Leninit, i cili, me prakticitetin e një revolucionari pragmatist, mendonte se gjatë viteve të Urisë së madhe monedhat e arit do ta ndihmonin revolucionin me shumë nga Rembrandi… Rozës i mjaftonte përkujdesja për lulet që të ndjehej në Parajsë…Por nuk kaluan shumë ditë që Roza e Ferdinanti të përziheshin brutalisht nga Parajsa.
2.
Vendosja e komunistëve në pushtet sjell dhe rrokopajën e Rozes e të Ferdinantin. Ky i fundit jo vetëm që është biri i një familjeje të pasur, por ka patur paturpësinë që t’i shfaqë haptazi “simpatitë” për nazizmin, duke u martuar me një gjermane. Internohen ne Lezhë. Nuk vonon e arrestohet, duke u akuzuar se ka përdorur një radio te zakonshme shtëpie si radio marrie-dhënëse për të komunkiuar me agjenturat e huaja. Denohet si agjent, si spiun gjerman, si borgjez e si bashkëpunëtor i Imperializmit botnor. Nuk kanë femijë. Roza ka shtetësi gjermane. E motra i shkruan nga Berlini që të kthehet në Gjermani. I thotë se ka biseduar me Qendrën e Kryqit të Kuq në Zvicer dhe çdo gjë është në përfundim. Duhet vetem një kërkesë e saj me shkrim. Por Roza ka një plan tjeter: është e vendosur që të presë, derisa Ferdinanti të lirohet nga burgu. 35 vjet pritje. 15 vjet më shumë nga Penelopa e Odisesë.
Roza bëhet pjesë e jetës së përidtshme të qytetit të vogël provincial. E mbaj mend në tregun e së dielës: njerëzit blinin pula, rosa, pata, duke i mbajtë të gjalla nga këmbët e lidhura, me kokën poshtë. Dhe Roza i ndalte blerësit e panjohur e u thoshte: Të lutem, a mundesh ta mbash të gjorën me koken lartë, që të mos torturohet? Njerëzit e shihnin të çuditur këtë grua të çmendur, që gjente kohë per t’ua qarë hallin shpendëve, por ngase ishte e huaj, bënin pikërisht ashtu siç u thonte. Të paktën per disa metra, derisa sa Roza të mos i shihte. Ajo filloi të fliste me pemët, me lulet. Ndalej dhe i thoshte një trandafili buzë rruge: Shiko sa e bukër që qënke! Dhe nuk e çan kokën për asgjë në ketë botë. Zemërohesh me femijët që kepusnin degët e pemëve a lulet. Sepse i konsideronte qenie të gjalla…
Për të mposhtur vetminë, vendos të adaptojë një femijë në Bafotrof. Shumë vite më vonë më ka treguar se si pat shkuar në shtëpinë e femijëve dhe se si, tek ecte permes rreshtit të shtretërve, kish ndier se një foshnje e shikonte me aq forcë, me aq këmbengulje, sa e kish ndier fizikisht pas kurrizit shikimin e saj. U kthye dhe pa foshnjën që tashmë kish zgjatur krahët drejt saj. E merr në krahë. Foshnja u quajt Adela. Shumë e shumë vite më pas, do të marr vesh një ironi tjetër të fatit: Adela, foshnja e adaptuar nga Roza, për të cilën gjermanja e anametuar do kujdesej gjithë jeten e saj, një engjëll i pafajshëm, është fëmija i paligjshem i njërit prej krerëve të radhës në Shqipërinë e viteve pas 1990.
Rozës i duhet të mbijetojë. I japin të drejtën që të punojë në Fermen e qytetit. Pasi punon 12 orë në ditë, i japin 20 lekë të vjetra. Aq sa të blejë gjysem buke në ditë. Mëma ime e shumë njerëz të tjerë e ftojnë fshehurazi në shtepitë e tyre. Dhe mua më kujtohet se sa e kujdesshme ishte Roza që të mos i fuste në siklet njerëzit, që e donin. Sepse e dinte se edhe një përshëndetje me kokë në adresën e saj, do interpretohej si simpati për armikun e klasës. E shmangte shikimin nga njerëzit që donin ta përshëndesnin, u shmangej njerëzve që donin të ndaleshin e të flisnin me të. Më ka treguar se mes njerëzve që e ndihmonin fshehurazi kishte dhe komunistë. P.sh., një grua nga Ishulli i Lezhës, sekretare Partie, të cilën Roza e pat bindur që të shkonte fshehurazi së bashku në Kishen e Laçit. Roza për t’u lutur për Ferdinantin, e sekretarja e Partisë per t’iu lutur Shna Ndout që të bëhej nënë… Rrallë herë shkon në Tiranë, sa për të marrë fshehurazi ndonjë libër gjermanisht nga një mik i saj, që quhej Robert Shvarc…Udhëtimet e tjera i bën në karrocerinë e kamioneve që transportojnë zhavor. Janë makinat e vetme që ndihmojnë të afërmit e të burgosurve për të vizituar njerëzit e tyre në burgjet e Spaçit a të Burrelit. Dhe keshtu kalonin vitet, ditët, orët, minutat e sekondat.
3.
Në vitin 1990 shkova për t’i bërë një vizitë Rozës, ngase më treguan se Ferdinanti ish liruar nga burgu. I gjeta të dy, dhe ishte ndër pamjet më prekëse që kam pare në jeten time. Ishte pamja e një çifti adoleshentësh të dashuruar për herë të parë. Ferdinanti, shperblimi i pritjes se saj 30 vjeçare, ishte një skelet i vertetë njerëzor. Por Roza ishte gruaja më e lumtur që kam parë në jetën time. Të kapur shterngueshëm per duarsh, sikur të kishin frike se do t’i ndanin nga njëri-tjetri prapë. Me sytë që u shkëlqenin nga lumturia. Ferdinanti më tregoi se si kishin dashur ta vrisnin, jo në burgun e Spaçit, por në një nga dhomat e Hotelit Tirana, 15-katëshit, në qendër të Tiranës. Në vitin 1990. Sigurimi i shtetit e kishte intervistuar disa ditë, pasi ishte liruar nga burgu. Në hotel Tirana. Hetuesit, djem te rinj, me siguri me karrierë të lavdishme në ditet e sotme, avokatë a gjykates të lartë, e kishin kërcënura se do ta hidhnin nga kati i dymbëdhjetë. Pastaj e kishin kërcënuar me revolver se do ta vrisnin. E kishin rrahur atë, një plak 75 vjeçar, duke i thënë se do t’i kishte pas gjithë jetën.
Pas kësaj kishin vendosur të iknin njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. Ndoshta ky kishte qëne edhe qëllimi i kërcenimit të fundit: ta detyronin që ta linte Shqipërinë. Sa më pak deshmitarë si ai, aq më mire. Me Rozen kishin vendosur të shkonin në Kroaci. Në Zagreb… Dhe kështu bënë.
Kam biseduar me ta në telefon gjatë gjithë këtyre viteve. Roza ndihmonte shqiptarët kudo që i ndeshte. Në televizionin kombëtar kroat pat dhënë nje intervistë prekëse rreth jetes së saj, aq sa shumë dëgjues merrnin studion në telefon për ta përshëndetur. Njerëzve u bënte përshtypje se si kjo grua, që kish kaluar përmes Ferrit, fliste fjalë të mira për shqiptarët. Si, edhe pse jeta jote është rrënuar në Shqipëri? E gjithë jeta jote, fillim e mbarim?
Në vitin 1997, me 31 janar, ndodhet në Vjenë. Ka ardhur me kursimet e pensionit të saj. Merr një taksi dhe e porosit shoferin që ta çojë në Zentralfriedhof. Shoferi preket nga adresa e Varrezave dhe mendon se gruaja plakë ka ardhë që të bëj vizitë në varret e njerëzve te vet. Të pres ketu, dhe kthimin e ke pa pagesë, i thotë shoferi i taksisë. Roza kthehet pas gjysmë ore, dhe hypen përseri në të njejtin taksi. Burri? e pyet me kujdes shoferi. Jo, i thotë Roza. Kam ardhë nga Zagrebi veç për të vënë lule në varrin e Schubertit. Sot është 200 vjetori i lindjes se tij. Symfonia e Pambaruar e tij është muzika që më pëlqen më shumë nga çdo gjë tjeter. Dhe është e pambaruar, siç është dhe vetë jeta.
Në Zagreb, një grup grashë kroate zgjidhen për të marrë pjesë në një audiencë speciale me Papën Gjon Pali i Dytë. Më tregon Roza: ishim 20 gra gjithesejt. Zonjat nga Zagrebi ishin veshur sikur të shkonin në një ballo nga ato që përshkruan Tolstoj. Papa na priti në dhomën e tij private. Filloi të thoshte se sa e rëndësishme është që të falim.Dhe zonjat e Zagrebit, që nuk kishin vuajtur kurrë në jetën e tyre, tundnin kokat duke pohuar, po, po, të falim. Veç unë nuk pohoja, as me krye e as me fjalë. Derisa shikimi im u kryqëzua me shikimin e Papës. Dhe ai e kuptoi përnjëherë se çfarë thoshte shikimi im : ti e ke të lehtë t’u flasësh këtyre grave për faljen, sepse ato nuk kanë kaluar përmes ferrit ku kam kaluar unë…Në mbarim të audiences, tek po dilinim, Papa më ndali veçmas e më tha: Falja u përket fitimtarëve të shpirtit.
Ne vitin 2004 një telefonatë nga Zagrebi me njofton se Feridandi vdiq. Ishte Roza që qante me denesë në telefon. Po atë vit, vendosem që të shkojmë për pushime ne Kroaci, që të takonim Rozën. Ajo erdhi me tren nga Zagrebi në Fiume (Rjeka). I kisha thënë të më priste në stacionin e trenit. E gjeta tek bisedonte me një grua. Sapo më pa, filloi të qante. Nuk jam e përgatitur të vdes, më tha. Kam aq shumë deshirë të jetoj.
Në Medulin, pranë Pules, kishim vilen ku do qëndronim. Femijët tanë u mrekulluan me Rozën, po aq sa ç’isha mrekulluar dhe unë në moshen e tyre, kur e kisha takuar për herë të parë. Në ditën e nesërme bëmë një udhetim me varkë, duke qarkuar ishujt e Brionit. Bashkë me ne ishin dhe dy çifte austriakësh. Një burrë e një grua, të sapomartuar, veshtronin kohë pas kohe njëri-tjetrin. Në mbremje Roza më tha: Ti kujton se ishujt e Brionit më mrekulluan? Ajo që më mrekulloi më shumë se ishjut qe veshtrimi gjithë dashuri i atij çiftit austriak! O Zot, sa shumë dashuri që kishte në shikimet e tyre.
Kur u ndamë, e dinim të dy se ishte hera e fundit që shiheshim. Në stacionin e Fiumes, tek ndaheshim, më tha prapë: Më vjen keq që nuk jam e përgatitur të vdes.
Disa ditë më vonë, në Londer, mora një kartolinë nga Roza. Kartolina tregon një ishull të vockël, që qarkohet i gjithi nga një shkëmb i vetëm. Roza më shkruan: Ky shkëmb nuk po e çaka kryet as për diellin e as për ernat, as për detin e as për njerëzit! Ishin fjalët e fundit që do lexoja nga Roza.
As dhe një muaj më vonë, një letër tjetër që vjen nga Shqipëria, më thotë se Roza vdiq. Letrën e shkruan Adela, vajza e saj e adaptuar. Më falenderon që e kam dashur deri në ditët e fundit. Kurse unë kujtohem se asnjeherë nuk e kam ditur mbiemrin e saj të vajzërisë!
11 Janar 2009