Wilson: Zgjedhjet, vendimtare për integrimin e vendit
Ambasadori Britanik në Tiranë, Fraser Wilson, bëri me dije dje se zgjedhjet e qershorit janë vendimtare për integrimin e Shqipërisë. Interesimin për situatën politike në prag të zgjedhjeve parlamentare, ambasadori Wilson e ka shfaqur gjatë takimit me kreun e PDK-së, Nard Ndoka. "Zgjedhjet janë vendimtare për integrimin e vendit dhe partitë politike në Shqipëri duhet të angazhohen për standardet e zgjedhjeve", theksoi Wilson. Nga ana tjetër, kreu i PDK-së shfaqi shqetësimin e tij për marrëveshjen e dy partive të vjetra për reformën zgjedhore, që sipas Ndokës përjashton nga procesi i administrimit të votës parti të rëndësishme. Ish-ministri i kabinetit "Berisha" u shpreh se "elektorati i djathtë shqiptar, shikon te PDK dhe Poli i Lirisë një alternativë evropiane për ringritjen e të djathtës në Shqipëri dhe për zgjidhjen e problemeve të krijuara nga qeveritë që kanë qeverisur në këto tetëmbëdhjetë vjet, që në përgjithësi kanë qenë qeveri ish-komunistësh, pavarësisht petkut të djathtë apo të majtë që kanë veshur".