Komisioni ad hoc për zgjedhjet harton grafikun
Pas miratimit me 97 vota në Kuvend ka nisur punën dje zyrtarisht komisioni ad hoc për zbatimin e Kodit të ri Zgjedhor lidhur me kartat e identitetit, regjistrin elektronik të gjendjes civile dhe listat zgjedhore. Mbledhja e parë është zhvilluar dje në prani të medias dhe kryetari i komisionit, Ilir Rusmajli, bëri publik planin e punës së komisionit. Sipas Rusmajlit, në axhendën e punës së komisionit do të jetë marrja e informacioneve të vazhdueshme nga KQZ-ja, Ministria e Brendshme dhe Zyra Qendrore e Gjendjes Civile, drejtuesit e këtyre institucioneve do të paraqiten herë pas herë në komision, ku do të zhvillohet seanca dëgjimore me ta. I pari që do të paraqitet në komision ditën e premte, në orën 12:00, do të jetë drejtori i Zyrës së Gjendjeve Civile, Armand Teliti. Ndërsa nënkryetari Kastriot Islami kërkoi që puna e komisionit të fokusohet tek infrastruktura zgjedhore. Sipas Islamit do të kërkohen informacione periodike nga Ministria e Brendshme dhe KQZ për listat e votuesve, prodhimin dhe shpërndarjen e kartave, informacion nga gjendjet civile për numrin e personave që nuk kanë pasaportë etj. Sekretar i këtij komisioni u zgjodh deputeti i PR-së, Arian Madhi.