BE: Dorëzoni aplikimin, por shqyrtohet pas zgjedhjeve
Shqipëria pritet të dorëzojë zyrtarisht aplikimin për të siguruar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian brenda pak javësh. Garancia është dhënë nga Presidenca Çeke përmes ministrit të Jashtëm, Karen Schwarzenberg, i cili u prononcua në takimin në Bruksel mes Trojkës dhe zyrtarëve të Malit të Zi. Por, pavarësisht kësaj, shqyrtimi do mund të bëhet vetëm pas fillimit të Presidencës Suedeze që përkon me intervalin kohor qershor-dhjetor të vitit 2009. "Ne do të ishim shumë të lumtur nëse Shqipëria aplikon gjatë presidencës sonë, atëherë ndoshta procesi do të marrë pak kohë dhe gjatë Presidencës Suedeze që është po kaq mikpritëse sa presidenca jonë, unë jam i sigurt se Karl Bildt do t‘ju mbështesë po aq sa ju mbështes dhe unë", u shpreh Schwarzenberg, ministri i Jashtëm i Çekisë, vendi që kryeson Presidencën e radhës së BE-së. Ndoshta do të ketë zgjedhje të suksesshme, shtoi ai, dhe nëse dëshmohet se do të zhvillohen me sukses të plotë, ky do të jetë rekomandimi më i mirë për Shqipërinë dhe për këtë gjë nuk ka asnjë dyshim. "Sigurisht që askush nuk e di se sa kohë i duhet procesit për të nisur pas bërjes së aplikimit. Por nuk mendoj se kjo përbën ndonjë dallim shumë të madh", theksoi diplomati çek. Sipas tij, megjithëse proceset ndonjëherë mund të duken të gjata në kohë, e rëndësishme është të ecet përpara dhe se angazhimi i BE-së është i palëkundshëm për vendet që plotësojnë kriteret. Sakaq, ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, Presidenca pasuese e BE-së vlerësoi se "unë sigurisht e konfirmoj këtë gjë. Dua të them se jeni gjithnjë të mirëpritur gjatë Presidencës Çeke si gjatë asaj Suedeze". Por, insistoi Bildt, duhet kuptuar se pastaj do të pasojë një proces i gjatë, me përgatitjen e opinionit nga Komisioni dhe eventualisht me politika vendimmarrëse shtesë. "Aplikimi dhe kalimi nga Këshilli te Komisioni është shumë teknik dhe mund të marrë pak kohë gjithashtu", sqaroi diplomati suedez. Sakaq, në Tiranë, ministri i Jashtëm Lulzim Basha priti në një takim zëvendësministrin e Jashtëm çek, Tomas Pojar. Duke e konsideruar gjashtëmujorin e Presidencës Çeke të BE-së si periudhën më të përshtatshme për Shqipërinë për të aplikuar për vend anëtar të BE-së, ministri Basha dhe zëvendësministri Pojar vlerësuan se është shumë i rëndësishëm koordinimi i hapave të mëtejshëm diplomatikë për të realizuar aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit ranë dakord që të dyja palët të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm dhe intensiv në javët e ardhshme.