E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria bëhet anëtare e Asamblesë së Mesdheut

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndodhet për një vizitë dyditore në Bruksel, ku ka marrë pjesë në Asamblenë parlamentare të Mesdheut. Gjatë këtyre takimeve, kryetares Topalli i është bërë e ditur se tashmë Shqipëria është anëtare e kësaj asambleje parlamentare. Në vlerësimin e Topallit, ky është një hap tjetër pozitiv që Shqipëria hedh vetëm pak ditë para anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. "Shqipëria hedh dhe një hap tjetër më pranë integrimit në familjen evropiane, me anëtarësimin në Asamblenë parlamentare të Mesdheut", u shpreh Kryeparlamentarja Topalli, e cila në emër të Parlamentit shqiptar, ka falënderuar Kryetarin e Parlamentit Evropian, Pottering, dhe Presidentin e radhës së Asamblesë parlamentare të Euro-Mesdheut, njëherësh Kryetar i Parlamentit të Jordanisë, Maajali. Asambleja Parlamentare Euro-Mesdhetare është institucioni parlamentar i Procesit të Barcelonës me pushtet konsultativ, i bazuar në Deklaratën e Barcelonës. Gjatë punimeve në Bruksel të kësaj Asambleje, Topalli u takua edhe me përfaqësues të Parlamentit Evropian, por dhe me kryetarë të parlamenteve të vendeve anëtare të EMPA-s. Në takimin me Presidentin në detyrë të KE-së, Schwarzenberg, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Çekisë, vendi që mban kryesinë e radhës në BE, Topalli vuri theksin te liberalizimi i vizave, si një çështje me interes kombëtar për Shqipërinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›