E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Integrimi, qeveria shmangu raportin në Kuvend

Socialistët deklaruan dje se qeveria duhet të kishte ardhur në Kuvend brenda muajit shkurt sipas ligjit për rolin e këtij institucioni në procesin e integrimit evropian, por kjo nuk ka ndodhur. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se "Kuvendi i Shqipërisë, për shkak të papërgjegjshmërisë së Sali Berishës dhe axhendave turistike të Jozefina Topallit, është shmangur plotësisht nga roli drejtues që duhet të ketë në procesin e integrimit". Balla sqaroi se në takimin e fundit të Task-Forcës konsultative Shqipëri-BE, pala shqiptare u kritikua sërish në sektorë si: sistemi gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, vizat, kontrolli kufitar, migracioni, lufta kundër krimit të organizuar, policia dhe pastrimi i parave. "Është sabotim i drejtpërdrejtë i procesit të integrimit fakti që qeveria nuk ka bërë asnjë hap në adresimin e këtyre prioriteteve. Është mungesë e theksuar serioziteti në marrëdhënien tonë kontraktuale me Bashkimin Evropian, që qeveria, sot, katër muaj pas raportit, nuk ka raportuar në Kuvend dhe nuk përgatitur një plan pune", insistoi Balla. Ai këmbënguli se është më se e qartë që kjo qeveri nuk duket se ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë edhe në 100 ditët e mbetura.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›