Fiks Fare sjell realitetin tronditës të burgjeve shqiptare
Mbipopullim, mungesë e ujit, lagështirë, të mitur që vuajnë dënimin në të njëjtat ambiente me të dënuar të rritur... Kjo është panorama e burgjeve shqiptare sot.
“Fiks Fare” solli dje fakte tronditëse nga ambientet ku jetojnë të dënuarit shqiptarë, në një nga burgjet e vendit.
Ndarja e të burgosurve në kategori, që konsiston në ndarjen e të miturve nga të dënuarit e rritur, nuk respektohet, dhe fëmijët mbahen në të njëjtin vend me të rriturit, duke rrezikuar kështu të bien pre e abuzimeve të ndryshme.
Pamjet filmike të transmetuara në emisionin “Fiks Fare” tregonin se si të miturit mbaheshin në të njëjtat ambiente me të rriturit, të dënuar për krime të rënda. Brenda në burg, të dënuar të moshës 15 vjeç deri në 18 vjeç, qëndrojnë me të dënuar të tjerë madhorë, jo vetëm në ambientet e brendshme të burgut, por edhe gjatë orarit të ajrimit.
Pamjet ekskluzive të transmetuara dje në “Fiks Fare” ishin nga ambientet e paraburgimit të një prej burgjeve të vendit. Në këto ambiente, të dënuarve që mbahen të izoluar u mungonin kushtet më minimale të jetesës. Në të gjitha dushet mungonte uji i ngrohtë, ndërsa ujin e ftohtë mund ta gjenin vetëm në një rubinet në të gjithë burgun. Ujin e ngrohnin në kushte të rrezikshme brenda në qeli. Me mjete të krijuara vetë në mënyrë artizanale, nëpërmjet një bombole gazi që e lidhnin me një tel korrenti, e më pas e fusnin në prizë, ngrohnin ujin në një kovë. Kjo është mënyra se si mund të siguronin ujin e ngrohtë të dënuarit.
Po ashtu, në këtë institucion nuk funksiononte sistemi i ngrohjes. Në këto kushte, garantimi i trajtimit të duhur të personave të paraburgosur ose të dënuar, veçanërisht për të miturit, është i pamundur.
#