Withers: Ka ende kohë për të realizuar zgjedhjet sipas standardeve
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John Withers deklaroi të enjten në mbrëmje, se "klasa politike shqiptare është ende në kohë për të realizuar zgjedhje që përmbushin standardet ndërkombëtare". I ftuar në një emision televiziv, Ambasadori amerikan në Tiranë, theksoi se "pas futjes së Shqipërisë në NATO, përgjegjshmëria e klasës politike shqiptare duhet të jetë më e lartë". Në këtë drejtim, ai bëri apel që të merren te gjitha masat e domosdoshme që procesi i ardhshëm zgjedhor të mos dështojë. "Klasa politike shqiptare duhet të punojë fort që askush të mos shqetësohet për mundësinë e zgjedhjeve të debatueshme. Përgjegjësia kryesore është e shqiptarëve që të ndërmarrin këto hapa në mënyrë që zgjedhjet të jenë të suksesshme", u shpreh ambasadori Withers. Sipas tij, "çdo shqetësim se këto zgjedhje mund të mos jenë të sukseshme nuk duhet të materializohet.Proceset zgjedhore në Shqipëri kanë qenë të debatueshme dhe me probleme. Ndërsa Shqipëria rritet në skenën ndërkombëtare, i duhet të përmbushë detyrime të reja dhe një nga përgjegjësitë është mbajtja e zgjedhjeve të lira, transparente dhe të ndershme. Për këtë arsye këto zgjedhje janë të rëndësishme për Shqipërine", shtoi diplomati amerikan. Withers theksoi se të gjithë qytetarët duhet të pajisen me dokumente identifikimi dhe të gjithë duhet të kenë të drejtën e votës dhe të mos përjashtohen nga ky proces. "Të gjithë duhet të votojnë dhe askush nuk duhet të lihet jashtë këtij procesi. Çdo qytetar ka të drejë për të votuar dhe çdo votë që ai hedh duhet të numërohet në mërnyrë të saktë, ndërkohë që askujt nuk duhet t'i mohohet e drejta për të votuar", u shpreh Withers. Në këtë kuadër, ai vlerësoi si shumë të rëndësishme pajisjen me karta identitetit të shtetasve që nuk dispononojnë pasaporta. "Këta qytetarë duhet të jenë fokusi kryesor i këtyre zgjedhjeve dhe ata duhet të votojnë patjetër", tha Withers.
Ambasadori amerikan: Anëtarësimi i vendit në NATO, rezultat i progresit në vene
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John Withers deklaroi të enjten në mbrëmje, se "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rezultat i rolit që ka luajtur klasa politike shqiptare, por edhe më gjerë, i kontributit të qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi". I ftuar në një emision televiziv, ambasadori amerikan theksoi se "arritja e kësaj ngjarje madhore për Shqipërinë ishte rezultat i përpjekjeve të një kombi të bashkuar, përpjekje të cilat u shpërblyen. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nuk ishte një zhvillim që erdhi si rrjedhojë e një 'teke' të Amerikës apo e partnerëve të tjerë të NATO-s. Anëtarësimi në NATO arrihet përmes konsensusit të gjithësecilit prej aleatëve, dhe pa miratimin e secilit prej tyre ky zhvillim nuk do të ishte i mundur", u shpreh diplomati amerikan. Në këtë kuadër, Ambasadori Withers solli në vëmendje rastin e Maqedonisë, ku prezenca e një vote kundërshtuese (Greqisë), i mohoi në këto momente Maqedonisë anëtarësimin në NATO. "SHBA kanë qenë mbështetës të mëdhenj të Shqipërisë dhe ne besonim vërtetë se vendi juaj po ndërmerte reforma ushtarake dhe civile të gjithanëshme", tha ambasadori Withers, duke theksuar se "vetë shqiptarët kanë dhënë kontributin kryesor për anëtarësimin e vendit të tyre në NATO". Ambasadori amerikan sqaroi se anëtarësimi i një vendi në NATO nuk është i barazvlershëm me vendosjen e bazave ushtarake në atë vend. "Do të isha i kujdesshëm që të mos vendosja shenjën e barazimit mes NATO-s dhe ardhjes së menjëhershme të një prezence ushtarake. Në shumicën e vendeve të NATO-s nuk ka baza ushtarake", tha zoti Withers. Wshtë e rëndësishme të kuptojmë, tha ai, se "siguria që krijon NATO ka për qëllim që të ruajë paqen dhe jo ballafaqimin ushtarak". "NATO shkon më tej se thjesht dimensioni ushtarak i Aleancës. Dimensioni ushtarak është pjesë e Aleancës dhe është i rëndësishëm, por NATO është një aleancë e demokracive, vlerave, shpresave të ndara bashkarisht dhe interesit të përbashkët për të ardhmen. Këto janë fushat ku ne vërtetë do të shohim përfitimet e NATO-s", tha diplomati amerikan. Duke e konsideruar këtë anëtarësim si një epokë të gëzueshme për Shqipërinë, ambasadori Withers u shpreh se hyrja në NATO e Kroacisë, Shqipërisë dhe shpresojmë së shpejti edhe e Maqedonisë do të jetë një hap i madh drejt procesit që do të largojë termin "ballkanizim" dhe që do të sjellë stabilitetin në këtë rajon. “Ballkanizim" është një term që përshkruan mungesën e stabilitetit dhe nënkupton një mungesë të vazhdueshme rregulli, një vazhdimësi paqëndrueshmërie. Ndaj mendoj se me anëtarësimin e këtyre vendeve në Aleancën e Atlantikut të Veriut, rajoni do të ketë përfitime të ndjeshme", u shpreh Withers.
...