E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mortorizimi i informacionit” dhe Potter-Box

Gilman Bakalli 

Pjesa e parë e titullit të këtij artikulli është vënë midis thonjëzash, sepse i referohet titullit të artikullit të fundit të Mustafa Nanos... Duke e vlerësuar ndjeshmërinë e autorit në lidhje me problemin që ai trajton, duke qenë dëshmitar gjithëshqisor i bombardimit të përditshëm mediatik me lajme të kobshme e makabre, dëshiroj ta pyes atë dhe kolegët e tij, nëse organet drejtuese të masmediave shqiptare i referohen ndonjëherë atij modeli të arsyetimit etik të propozuar nga profesori i Harward-it, Dr. Ralph Potter?
Struktura Potter Box parashtron katër faza për të analizuar vendimet etike në komunikimin masiv:
1.    Përcaktimi: përcakto faktet në çdo rast; faktet që shkaktojnë ngritjen e një çështje etike. Ky përcaktim duhet të jetë sa më i plotë që të jetë i mundur, duke u mbështetur në shumë burime dhe pohime.
2.    Vlerësimi: përcakto rëndësinë e vlerave të rastit. Në gazetari, vlerat përfshijnë vërtetësinë, vlerën e një qytetarie të kultivuar, objektivitetin, drejtësinë dhe saktësinë. Por, mund të ndikojnë edhe vlera të tjera si respekti për privatësinë e individëve, miqësia me njerëzit e përfshirë në ngjarje, mirëqenia jonë ekonomike, siguria publike, e kështu me radhë.
3.    Parimet etike: faza e tretë bën thirrje që komunikuesi të peshojë rëndësinë e vlerave të kundërta duke iu referuar njërit prej sistemeve etike, siç janë ato të përfaqësuara nga Mill dhe utilitarizmi, ose imperativa kategorike e Kantit, ose liberalizmi egalitarian i Rawlsit, ose të tjerë.
4.    Besnikëritë: përcakto besnikëritë që mund t’i bien ndesh njëra-tjetrës kur mendon të komunikosh një mesazh ose një ngjarje. Në vendimmarrje, komunikuesit duhet të marrin parasysh se kujt po i tregojnë besnikëri dhe nëse besnikëria ndaj tyre apo ndaj të tjerëve është e përshtatshme në këtë rast. Besnikëria në konkurrencë të fortë është besnikëria që duhet të tregosh ndaj vetes, ndaj kolegëve, ndaj institucionit ose organizatës të cilës i përket, ndaj burimeve financiare (tuaja ose institucionit tuaj që mund të jenë agjencitë e reklamave ose aksionerët), ndaj njerëzve që janë subjekti i rastit, dhe ndaj publikut në përgjithësi.
Mund ta aplikojmë këtë model për marrjen e vendimit, nëse duhet të shfaqen apo jo sekuenca filmike nga ngjarjet e kobshme (aksidente automobilistike, (vetë)vrasje përdhunime etj.), që mediat tona i shfaqin 24 orë në 24, apo fotografi njerëzish që hidhen nga katet e larta të pallateve apo dergjen nëpër pellgje gjaku të shkaktuara nga vrasje apo aksidente.
Cilat janë faktet? Lehtësisht të evidentueshme, duke shkuar në vendngjarje.
Çfarë vlerash dalin në pah në vendimin për të transmetuar pandërprerë lajme të trishta dhe, veçanërisht për publikimin e fotografive? Media të ndryshme mund të kenë pikëpamje të kundërta mbi këtë problem. Disa mendojnë se duhet të fotografohet çfarë ndodh në të vërtetë dhe t’i tregohet të gjithë shqiptarëve tmerri i ngjarjes. Kalimtarë të shkelur nga një makinë, një vajzë që dergjet me kokë të shembur në beton si pasojë e hedhjes nga ballkoni i katit të 5-të, një e mitur e përdhunuar, një gjimnazist i varur në një pemë, e të tjera si këto janë pjesë integrale dhe e vërtetë e ngjarjes; të tjerë botues mund të mendojnë se imazhet janë tepër të gjalla dhe lënduese për familjarët dhe të afërmit e viktimave. Pra, vlerat që i kundërvihen njëra-tjetrës në këtë rast janë, nga njëra anë, e vërteta dhe angazhimi për të treguar historinë e plotë dhe, nga ana tjetër, e drejta e privatësisë, respekti dhe ndjeshmëria njerëzore për viktimat dhe familjarët e tyre.
Çfarë parimesh etike duhen marrë në konsideratë për të zgjedhur në mes vlerave të kundërta? Një perspektivë utilitariste mund të sugjerojë se e mira apo e dobishmja maksimale realizohet duke zbuluar të gjitha regjistrimet e një ngjarjeje të kobshme. Shqiptarët, fjala bie, duke parë pamjet e lemerishme të një aksidenti rrugor, të një përdhunimi seksual të një të miture do të njihen me nivelin e tragjedisë, do të ndjejnë më shumë keqardhje për viktimën dhe më tepër urrejtje për agresorin (indirekt mediat i bëjnë apel shoqërisë për më shumë kujdes). Shqetësimi për tjetrin, që përfaqësohet nga etika dialoguese dhe etika e kujdesit, argumentojnë se përkujdesja njerëzore për privatësinë e viktimave qëndron mbi parimin utilitarist. Ngjarja, do të thoshin ithtarët e këtij këndvështrimi, është në vetvete kaq e tmerrshme, saqë nuk ka parim utilitarist që mund ta tejkalojë parimin e përkujdesjes dhe dhembshurisë njerëzore.
A ka besnikëri të veçanta ndaj individëve ose grupeve të caktuara që na ndihmojnë të zgjedhim në mes vlerave dhe parimeve të kundërta? Një imazh më sensacional mund të tërheqë më shumë lexues ose një audiencë më të gjerë. Një imazh që bën më shumë përshtypje mund të ndihmojë një fotoreporter ose një botues gazete të marrë një çmim të famshëm. Kujt i japin përparësi fotografët dhe publikuesit tanë: besnikërisë ndaj lexuesit/shikuesit, besnikërisë ndaj kokëfortësisë së fakteve, besnikërisë ndaj sensacionit që rrit shitjen/kuotat e shikueshmërisë?
Personalisht gjykoj se besnikëria ndaj njerzillëkut mund të peshojë më tepër në arsyetimin etik të vendimmarrjes në komunikimin masiv dhe mund të na e lehtësojë atë përballjen deprimuese të përditshme me makabritete e horrore të gjithfarëllojshme. Botuesit e medias mund të këmbëngulin duke thënë se besnikëria më e rëndësishme mbetet besnikëria ndaj së vërtetës, ndaj fakteve. Po, në fund të fundit, cila është lidhja midis së vërtetës dhe fakteve? Dikush vëzhgon disa aspekte të një situate dhe anashkalon disa aspekte të tjera. Njerëzit mund të ndryshojnë nga njëri-tjetri në atë që vëzhgojnë dhe në çfarë raportojnë lidhur me të njëjtën ngjarje. Cili vëzhgim, cili raportim është ai i sakti? A nuk janë që të dy në një farë mënyre të saktë? A nuk është e vërteta, tekefundja, diçka më e pasur se thjesht pasqyrimi i fakteve? Ajo e vërtetë, e cila na sugjeron çdo ditë se, pas fakteve të ftohta e sterile, qëndrojnë njerëz prej mishi e gjaku, të cilët, pas një dite të ngarkuar psikologjikisht e fizikisht nuk kanë më energji të bluajnë fate dhe fakte tragjike që ua servirin me një lehtësi të papërballueshme mediat e këtij vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›