Tritol makinës së 36-vjeçarit të akuzuar për plagosje
Tiranë Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur në orët e para të ditës së djeshme kryeqytetin. Shpëthimi ka ndodhur në orën 02:30 të mëngjesit, në afërsi të rrugës “Dora D’Istria” e cila ndodhet pranë Liqenit Artificial, ku një sasi eksplozivi ka shpërthyer pranë një automjeti tip Benz, i cili ndodhej i parkuar në garazhin e pallatit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Komisariati 2 dhe specialistet e Antiterrorit, të cilët nisën punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se sasia e eksplozivit, e cila dyshohet të jetë tritol është vendosur në pjesën e përparme të makinës së Elvis Gaçajt, një 36-vjeçar i akuzuar më parë për një plagosje. Ekspertët e grupit hetimor morën në pyetje 36- vjeçarin në lidhje me konflikte të mundshme që mund të ketë pasur, por edhe nga dëshmia e tij nuk është arritur të gjenden të dhëna që mund të çonin në zbulimin e autorëve. Në pyetje janë marrë banorët e zonës, por edhe ata nuk kanë dhënë detaje që mund të ndihmonin grupin hetimor, pasi sipas tyre ngjarja ka ndodhur në një orar kur të gjithë ishin në gjumë. Ekspertët e grupit hetimor kanë shtrirë hetimet e tyre në disa pista, por kryesisht janë fokusuar në konfliktet e fundit që mund të ketë pasur Gaçaj si edhe mbi të shkuarën e tij. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se pronari i automjetit të dëmtuar, Elvis Gaçaj është ndaluar nga policia në vitin 2008 si i dyshuar kryesor për plagosjen për motive të dobëta të shtetasit Sefer M., ngjarje kjo e ndodhur me datë 26.07.2008. Gjithashtu mësohet se Gaçaj është gjykuar edhe për akuzën e pengmarrjes, por ka dalë i pafajshëm. Th.Samarxhiu