E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurorja Rama rikthen të ndëshkuarin nga Sollaku

 

Vëllai i ministrit Bujar Nishani emërohet prokuror në Durrës. Ja lëvizjet në prokurori

TIRANË- Vëllai i ministrit të Brendshëm Bujar Nishani emërohet prokuror në rrethin e Durrësit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka miratuar propozimin e kryeprokurores Ina Rama për ngritjen në detyrë të shtatë hetuesve dhe transferimin e 4 të tjerëve. Me dekretin e djeshëm me nr. 5846, Presidenti Topi, përveç emërimit si prokuror të vëllait të ministrit Nishani, që deri dje ka qenë hetues, ka bërë prokurorë edhe shtatë hetues të tjerë, kryesisht të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe asaj të Durrësit. Por ajo që bie më shumë në sy është rikthimi në detyrën e prokurorit të të ndëshkuarit nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku.Besnik Muçi është shkarkuar nga Prokuroria e Tiranës më 3 maj të vitit 2007, në kohën që Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Sollaku dhe rikthehet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me propozim të Ina Ramës.

Presidenti Topi ka miratuar dje propozimin e tretë të Ina Ramës, për ndryshime dhe lëvizje në organin e akuzës. Gjithashtu, me dekretin e djeshëm, Topi me propozim të Ina Ramës dhe këshillit të prokurorisë, emëroi me detyrën e prokurorit gjashtë hetues të cilët punonin në Prokuroritë e Rretheve të ndryshme, ku tre prej tyre punonin pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, institucion ky i vlerësuar për punën e kryer gjatë këtyre viteve të krijimit të tij. Gjithashtu, në dekretin e djeshëm janë transferuar edhe disa prokurorë të Prokurorisë Ushtarake të Tiranës, të cilët janë transferuar në prokuroritë e Rretheve. Mes të emëruarve në detyrën e prokurorit janë edhe dy juristë, të cilët kanë punuar në sektorin privat. Sipas dekretit me nr. 5846 të datës së djeshme, për emërimin dhe transferimin e 13 prokurorëve Presidenti Topi është mbështetur në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe të nenit 8, pika 2, gërma “b”, të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. F.Vezaj

EMËRIMET DHE TRANSFERIMET

Bledar Maksuti, hetuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, emërohet prokuror në Kurbin

Platin Aliçka, hetues i Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, emërohet prokuror në Sarandë

Vladimir Mara, hetues i Prokurorisë për Krimet e Rënda, emërohet prokuror në Durrës

Fahri Danaj, prokuror i Apelit Ushtarak në Tiranë, transferohetnë Apelin e Krimeve të Rënda Tiranë

Besnik Muçi, ish-prokuror i dorëhequr, emërohet prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda

Stiliano Bandilli, prokuror i Apelit Ushtarak në Tiranë, transferohet në prokurorinë e Tiranës

Petrit Qerimi, prokuror i Apelit Ushtarak në Tiranë, transferohet në Apelin e Vlorës

Rozeta Qirjazi, prokurore në Korçë, emërohet prokurore në Prokurorinë e Apelit Korçë

Deniona Katro, hetuese e Prokurorisë së Durrësit, emërohet prokurore në Durrës

Sokol Nishani, hetues i Prokurorisë së Durrësit, emërohet prokuror në Durrës

Abaz Muça, hetues i Prokurorisë së Matit, emërohet prokuror në Mat

Belina Zeneli, juriste, emërohet prokurore në Prokurorinë e Dibrës

Hysni Vata, jurist, emërohet prokuror në Tropojë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›