E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers, Rama dhe Turku inagurojnë Kullën e Sahatit të Tiranës

Restaurimi

U inaugurua dje Kulla e Sahatit të Tiranës. Në praninë e ambasadorit amerikan në Shqipëri, John Withers, zëvendësministres së Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, Sahati u konsiderua dje zyrtarisht i restauruar dhe i gatshëm për të pritur vizitorët. Restaurimi i Kullës së Sahatit është pjesë e projektit "Kthim në identitet", projekt që ka filluar në vitin 2000 me objekte të qendrës historike dhe aksit monumental të Tiranës. Restaurimi është bërë në bashkëpunim mes ambasadës së SHBA-së, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së kryeqytetit. Ai arrin shifrën 70 mijë dollarë, ku MTKRS ka dhënë një fond prej 30 mijë dollarësh. Në fjalën e tij ambasadori John Withers duke i bërë një përmbledhje historisë së kësaj kulle theksoi se shpreson që të ketë sa më shumë projekte të tilla, që i shërbejnë kulturës shqiptare. Nga ana e tij kryebashkiaku Edi Rama theksoi se restaurimi i Kullës së Sahatit do i sjellë shkëlqimin Tiranës duke shtuar se ky është një moment sa simbolik aq edhe i këndshëm. "Pas shumë vitesh ora në Kullën e Sahatit do të tregojë orën e saktë edhe kambana e orës do të bjerë sipas programit që ka pasur", u shpreh Rama. Ky është restaurimi i dytë që i bëhet kullës mbas vitit 1928.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›